E Diel, 1 Nëntor 2026

I kërkuari grabit me dhunë

 

Etleva Delia

Hetimet për një grabitje të ndodhur në Tiranë disa javë më parë, kanë çuar në pranga një 18-vjeçar, i dyshuar edhe për disa vjedhje të tjera, dhe i kërkuar për plagosje me levë. Dashamir Musa është arrestuar mëngjesin e djeshëm nga oficerët e policisë së kryeqytetit, pasi ndaj tij ishte bërë një kallëzim për vjedhjen me dhunë të një banese. Burime nga policia thanë se gjatë verifikimeve të kryera pas arrestimit të tij, rezultoi se adoleshenti ishte person i shpallur në kërkim edhe për një plagosje të ndodhur në muajin janar të këtij viti në Laprakë të Tiranës. Së fundmi ai ishte denoncuar nga Gjergji Molla, të cilit i dyshuari Dashamir Musa i kishte vjedhur me dhunë shtëpinë, pas një përleshje me të. Përleshja kishte ndodhur pasi pronari i shtëpisë kishte zbuluar hajdutin. Molla ka denoncuar vjedhjen dhe dhunën e ushtruar në ndaj tij dhe policia nisi menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin, i cili rezultoi të ishte Dashamir Musa, me precedentë të mëparshëm penalë. Burime nga grupi hetimor thanë se në fillimi të këtij viti ai kishte lënë qelitë e burgut, ku vuante dënimin për një vjedhje tjetër të ndodhur në Tiranë.
VEPRIMTARIA
Për policinë e kryeqytetit Dashamir Musa është një personazh jo pak i njohur për veprimtarinë e tij, e cila kishte filluar që kur ai ishte i mitur. Sipas burimeve nga policia mësohet se 18-vjeçari ishte ndaluar disa herë për vjedhje të realizuar si në territorin e kryeqytetit por edhe jashtë tij, por ishte lënë sërish i lirë për shkak të moshës së mitur. Policia arriti të arrestonte Musën për herë të parë vetëm kur ishte 17 vjeç, duke qenë se mosha e tij nuk përbënte më problem për ta liruar sërish. Policia sqaroi se në shkurt të vitit 2007, Dashamir Musa u arrestua në flagrancë, pasi në rrugën e Durrësit, u kap duke vjedhur impiantet hidrike të zjarrfikëseve të një pallati. Për këtë vjedhje ai u dënua nga Gjykata e Tiranës, madje bëri edhe disa muaj burg. Por dy javë pasi doli nga qelitë e burgut të Vaqarit, 18-vjeçari u përfshi në një konflikt me shokun e tij të qelisë, me të cilin ishte duke luajtur në një bilardo në zonën e Laprakës. Pas një debati të ashpër me bashkëmoshatarin e tij, Nderim Lleshi, Musa nuk nguroi ta godiste me levë hekuri në kokë, duke e lënë të plagosur rëndë. Që prej atij momenti 18-vjeçari u shpall në kërkim për "plagosje të rëndë me dashje" dhe u arrit të arrestohej vetëm mëngjesin e djeshëm në periferi të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›