Basha: Buxheti plotëson kërkesat për heqjen e vizave
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare se buxheti i vitit 2010 siguron mbështetjen e plotë financiare për realizimin e objektivave në drejtim të forcimit të rendit e sigurisë publike, luftës kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme dhe në veçanti për mirëfunksionimin e sistemeve të instaluara në kuadër të plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave me BE. “Menaxhimi i integruar i kufirit nëpërmjet sigurimit dhe garantimit të kufijve të hapur dhe të sigurt, lehtësimi dhe lëvizja e lirë e qytetarëve, bashkëpunimi mes gjithë aktorëve dhe agjencive të përfshira në kontrollin e kufirit, janë ndër objektivat kryesore të buxhetit për vitin 2010”, tha Basha. Sipas tij, funksionimi i sistemeve TIMS, MEMEX ka qenë dhe mbetet prioritar, pasi jo vetëm siguron plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian, por edhe përmbush plotësisht objektivat e qeverisë për intensifikimin e mëtejshëm të luftës ndaj krimit, korrupsionit, sigurinë e kufijve. Në lidhje me luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale, Ministri vlerësoi se “infrastruktura e re ligjore, si ligji i Antimafias dhe kuadri ligjor për konfiskimin e aseteve, bëjnë të mundur ngritjen e luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri dhe rritjen e terrenit armiqësor ndaj çdo përpjekjeje, për të përdorur territorin shqiptar apo kufijtë shqiptarë për aktivitete kriminale”. Ndër të tjera Ministri informoi se Shqipëria renditet në vendet e para për sa i përket kërkesave për ekzekutim fletë arrestesh, drejtuar Interpolit, por edhe e para për sa i përket ekzekutimit të kërkesave të ardhura nga vendet anëtare. “Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore ka provuar të jetë një praktikë suksesi, duke zhvendosur qartësisht Shqipërinë nga lista e vendeve domethënëse transit në këtë trafik,-tha ministri Basha. Ai iu përgjigj edhe interesimit të deputetëve për parashikimin buxhetor, për përmirësimin e kushteve të punës dhe të stërvitjes dhe performancën e Policisë së Shtetit, duke informuar se buxheti përmbush në mënyrë domethënëse nga ana financiare realizimin e këtyre objektivave.