E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Kuvendit çek, vizitë zyrtare sot në Tiranë

Kryetari i Senatit të Parlamentit të Çekisë, Premysl Sobotka, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë ku pritet të takohet me autoritetet më të larta shqiptare. Ai është i ftuar nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Gjatë vizitës në Tiranë, kryetari i Senatit të Parlamentit të Çekisë do të takojë Kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Bamir Topi, si dhe do të ketë një takim të zgjeruar me homologen Topalli. Axhenda zyrtare përfshin takimin në orën 13:00 me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe më pas do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp. Më pas, në orën 19 të pasdites, kryetari i Senatit të Parlamentit të Çekisë, Premysl Sobotka, do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë. Sobotka pritet të diskutojë me autoritetet shqiptare rritjen e bashkëpunimit mes palëve në fushën politike, diplomatike dhe atë ekonomike. Pala shqiptare pritet të kërkojë nga kryetari i Kuvendit çek ratifikimin sa më të shpejtë të Protokollit të NATO-s, ku një gjë e tillë është premtuar nga pala çeke. Njëkohësisht, integrimi i Shqipërisë në BE, rritja e bashkëpunimit parlamentar dhe institucional, reformat ekonomike dhe politike pritet të jenë në qendër të bisedimeve dypalëshe mes autoriteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›