E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahia: Duhet të ketë listë të përbashkët me PD-në

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia, deklaroi dje në një takim partiak në Mallakastër se në Kodin e ri Zgjedhor duhet të lihet e hapur mundësia për të pasur kandidatë të përbashkët mes partive politike. “Parashikimi në Kodin e ri Zgjedhor i koalicioneve të përbëra, nuk duhet të përjashtojë mundësinë edhe të koalicioneve me lista të përbashkëta kandidatësh, si një element që do të mënjanonte shpenzimin e energjive dhe rivalitetin e panevojshëm politik ndërmjet subjekteve të të njëjtit koalicion. Partia Lëvizja e Legalitetit ka filluar përgatitjet e saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Me Kodin e ri Zgjedhor po bëhet një hap pozitiv për eliminimin e fenomenit të Dushkut, krijimin e një regjistri të saktë kombëtar të zgjedhësve, si dhe pajisja e votuesve me karta identiteti”, - tha Spahia përpara mbështetësve të vet. Më tej ai tha se PLL-ja po nis organizimin e saj të brendshëm për zgjedhjet e ardhshme.

Roshi: Të institucionalizohet bashkimi i së djathtës

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat ka kërkuar që e djathta të hedhë hapin e para për të institucionalizuar bashkimin e saj. Kryetari i kësaj partie, Artur Roshi, tha dje se e djathta ndodhet në një frymë konsensusi dhe e bashkuar, por duhet më shumë. Sipas Roshit, është e domosdoshme që të ketë një tryezë politike me të gjithë faktorët e politikës së djathtë për të unifikuar qëndrimet si dhe për të institucionalizuar koalicionin e ardhshëm. “Nuk duhet humbur më kohë, por duhet të ketë një institucionalizim. Fakti që zgjedhjet janë 9 muaj larg, nuk do të thotë që duhet të presim, por përkundrazi. Fryma konsensuale dhe unifikuese që ka e djathta, duhet të konkretizohet me qëndrime të njëjta më mënyrë që puna e çdo partie të djathtë të lehtësohet më tej”, - tha Roshi i cili mbetet i mendimit se tryeza e përbashkët mes partive të djathta do të thoshte shumë në këtë moment kur krahu tjetër politik është i përçarë dhe pa iniciativa konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›