I kërkuari plumba agjentit të policisë
• Një mal me akuza të ngritura nga drejtësia në adresë të tij nuk e kanë penguar dje Ilir Pajën t'i shtojë skedarit të tij edhe plagosjen e rëndë të një agjenti të Policisë Kriminale.Trazhgim SokolajRreth mesditës së djeshme, në vendin e quajtur "Farmacia 10" në Tiranë, agjenti i Policisë Kriminale me iniciale B.H., mbeti i plagosur rëndë teksa ndiqte të shumëkërkuarin Ilir Paja, 35 vjeç nga Berati. Ky i fundit kishte pak kohë që ishte kthyer në Tiranë pas arratisjes spektakolare nga një burg në Itali, më 14 gusht 2007. Burime zyrtare të policisë shqiptare konfirmuan dje se, i shumë-kërkuari Ilir Paja ndodhej me një makinë tip "Fiat" duke lëvizur në Unazë, kur ka pikasur agjentin e policisë që ishte vënë në ndjekje të tij. Kur ndodhej në afërsi të makinës së personit të kërkuar, agjenti i policisë është gjendur nën sulmin e plumbave të Ilir Pajës. Në këto kushte, me qëllim shmangien e një arrestimi të mundshëm të tij, Ilir Paja ka shkelur deri në fund gazin e automjetit duke drejtuar lëvizjen e tij për tek agjenti i policisë. Ky i fundit është goditur nga makina, është rrëzuar përtokë, ndërsa mbi trupin e tij kaloi automjeti i të kërkuarit, i cili i shkaktoi dëmtime serioze oficerit të policisë. Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa po shikohet mundësia e kurimit të tij jashtë vendit. Por duket se agjenti i plagosur, nuk ka qenë i vetëm në ndjekjen që po i bënte të kërkuarit. Një agjent tjetër i policisë që ndodhej bashkë me kolegun e plagosur në vendin e ngjarjes, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Ilir Pajës, duke arritur ta plagosë atë pa i rrezikuar jetën. I shumëkërkuari për vrasje në Gjermani, shfrytëzim prostitucioni dhe arratisje në Itali ka tentuar të largohet nga vendi ku kishte plagosur agjentin e policisë, por ka rënë në pranga vetëm shtatë metra më tej. "Ufoja"Ilir Paja, personazh i konsideruar si "ufo" nga mediat dhe policia italiane për shkak të dy arratisjeve nga burgu, jetonte në arrati që prej korrikut 2007. Në ditën e 14 të këtij muaji, pasi ishte hequr si i sëmurë mendor në gjendje të rëndë, Ilir Paja po transferohej nga burgu i Livornos në drejtim të burgut të Casertës, ku kishte mundësi mjekimi. Nuk dihet sesi shqiptari është mbajtur në makinën e burgjeve italiane pa pranga, por gjatë transferimit ai ka arritur të arratiset. Pasi ka lënë pas makinën e burgjeve, ai ka ecur në këmbë për disa minuta dhe më pas ka grabitur një makinë "Golf", me të cilën arriti të zhdukej pa lënë gjurmë. Policia italiane kërkoi për disa ditë me radhë, duke aktivizuar edhe njësitë e helikopterëve, por nuk u gjet asnjë gjurmë e shqiptarit të arratisur. Para kësaj arratisjeje, Ilir Paja kishte kryer të njëjtën gjë edhe nga burgu i Firences. Përmes çarçafëve të lidhur me njëri-tjetrin Ilir Paja ka dalë nga dritarja e qelisë dhe është zhdukur pa lënë gjurmë. Policia italiane, e cila e kërkonte atë për akuzën e vrasjes në Gjermani dhe shfrytëzimit të prostitucionit në Itali, arriti ta arrestonte shqiptarin në mars 2005. Dy vite më pas, më 14 korrik 2007, Ilir Paja arriti të arratisej sërish. Për këtë shkak, menjëherë pas arrestimit në Tiranë, Ilir Paja u shoqërua me supermasa sigurie gjatë mjekimeve dhe më pas është mbyllur në dhomat e izolimit të policisë së Tiranës. Edi Rama"Ky është një rast tipik për të shprehur të gjithë fuqinë e solidaritetit këtyre shërbëtorëve të ndershëm të shtetit dhe të qytetarëve, që përballen me egërsinë barbare të krimit dhe njëkohësisht është momenti për të reflektuar për ç'ka politika duhet të bëjë më shumë, duhet të bëjë më mirë, duhet të bëjë më drejtë, në mënyrë që asnjë qytetar të mos ndihet i kërcënuar, i pasigurt dhe i dobët. Pasi kur një polic goditet, e gjithë shoqëria është më e kërcënuar". Sali Berisha"Asgjë nuk mund të përkulë apo të tejkalojë guximin, trimërinë dhe vullnetin e hekurt të policisë shqiptare për të luftuar me zero tolerancë krimin. Në Shqipëri është faktuar qartë dhe përfundimisht, se trimëria, profesionalizmi dhe kuraja e policëve, inspektorëve, agjentëve të policisë, është shumë më eprore sesa një kriminel, që në ikje e sipër përdor makinën e tij kundër oficerit të policisë. Qytetarët të mendojnë për punën e vështirë që ka policia dhe për shërbimin e jashtëzakonshëm që ata i kanë bërë këtij vendi".AkuzatNë banesën e Ilir Pajës në Itali, menjëherë pas arrestimit të tij, policia ka gjetur dy prostituta që mba-heshin aty. Sipas burimeve të policisë dhe mediave italiane, njëra prej vajza kishte shenja të dukshme dhune në trup. Pas kësaj, policia ngriti akuzat, sekuestrim personi dhe përdhunim ndaj Ilir Pajës. SkandaliIlir Paja është bërë shkak për një skandal me përmasa të mëdha në Itali pas arratisjes së tij, më 14 korrik 2007. Autoritetet filluan hetimet, pasi procedura e transferimit të tij kishte disa mangësi të rënda. I burgosuri që arriti të arratisej ishte mbajtur pa pranga në makinën, nga e cila Ilir Paja u arratis. Policia: Ilir Paja vrau shqiptarin për pazaret e drogës e prostitucionitTIRANE - Ilir Paja, 35 vjeç, personazh i cilësuar si shumë i rrezikshëm nga policia gjermane dhe italiane, akuzohet për vrasje, arratisje, shfrytëzim prostitucioni, përdhunim dhe rrëmbim personi. Një fakt i tillë u konfirmua me anë të një deklarate zyrtare nga policia shqiptare. Ndërkaq, problemet e Ilir Pajës me drejtësinë, e kanë origjinën e tyre në qytetin Duisburg në Gjermani. Në vitin 2003 ai dyshohet se ka vrarë në mënyrë makabre në një parkim në Duisburg një shtetas shqiptar. Sipas hetimeve të policisë gjermane, shkaku i vrasjes kanë qenë konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes Ilir Pajës dhe shqiptarit tjetër për kontrollin e veprimtarisë së trafikut të drogës dhe prostitutave në atë zonë. Viktima duket se gabimisht kishte ndërhyrë në zonën e kontrolluar nga Ilir Paja dhe ky i fundit, sipas policisë, nuk ka toleruar. Ai akuzohet se menjëherë ka kryer vrasjen makabre, me disa plumba të bashkëkombësit të tij nga Shqipëria. Më pas, Paja është larguar nga Gjermania dhe është shpallur në kërkim nga policia e këtij vendi. Bazuar në këtë urdhër arresti të policisë gjermane, policia italiane e kapi Ilir Pajën në një banesë në Buskata, e cila ishte rrethuar nga policia. Ilir Paja u hodh nga një mur dhjetë metra i lartë, por ra në pranga gjithsesi.