Debitorë ndaj KESH, 20 mijë lekë gjobë për 110 familje
• Një aksion i KESH-it në Malësi të Madhe gjobit 110 debitorë. Secili prej tyre, për shkak se nuk kishin paguar energjinë është detyruar të paguajë një shumë prej 20 mijë lekësh.MALESI E MADHE/ RITVAN DIBRA "Nuk do të tolerohen më ata që nuk paguajnë faturën e energjisë elektrike, pikërisht në kohë kur furnizimi me drita është nga më të mirët e 10 viteve të fundit", deklaron Gjergji Gila, shef i sportelit të KESH-it në këtë rreth. Ai shton, se atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë, jo vetëm që do t'u ndërpritet energjia, por do t'i vendoset edhe debia dhe do të paguajnë të gjitha ato detyrime që i kanë borxh deri tani shtetit. Numri i abonentëve në Malësi të Madhe është 9800 klientë dhe aktualisht po bëhet lidhja e kontratave për të gjithë familjet apo bizneset që nuk kanë pasur kontrata për arsye nga më të ndryshmet. Drejtuesit e agjencisë dhe sportelit të shitjeve sqarojnë se pagesa e energjisë elektrike në këtë zonë ka shkuar në 70% dhe pritet që rritja e pagesës së faturave të jetë më e madhe muajt e ardhshëm, kjo falë punës së bërë prej tyre. Gila thotë se ka besim se këtë vit do të rriten arkëtimet dhe u bën thirrje abonentëve të Malësisë së Madhe që të paguajnë në kohë pasi do të vendosën gjobat për çdo ditë vonesë. Ndërsa Musa Gjeka, shef i agjencisë në këtë zonë e shikon si shumë shqetësues problemin e humbjeve në rrjet në Malësinë e Madhe. Ai deklaron shifrën prej 50 për qind dhe paralajmëron të gjithë ata që kanë linja të dyfishta sepse do të ndëshkohen ashpër nga ligji. Sipas tij, persona që do të gjenden duke vjedhur energjinë elektrikë do të penalizohen. "Do të dërgojmë të tillë njerëz edhe me ndjekje penale", deklaron Gjeka. Sipas tij, abuzimet e shumta që bëhen nga qytetarët janë më të pranishme tek ata abonentë që nuk kanë matës. Ndërkohë burime pranë kësaj agjencie bëjnë të ditur se janë gjobitur rreth 110 abonentë, të cilët nga kontrollet e ushtruara kanë rezultuar me lidhje të paligjshme apo dhe me abuzime me energjinë elektrike. Shuma e gjobave ka qenë rreth 20 mijë lekë për secilin abonent që ka rezultuar me shkelje, por njëkohësisht atyre u bëhet me dije se masat ndëshkimore do të ashpërsohen deri në ndjekje penale në rrethin e Malësisë së Madhe. Duhet theksuar fakti që vitet e fundit në zonën e Malësisë së Madhe shikohet një rritje e ndjeshme e nivelit të arkëtimeve në një kohë që deri dje kjo zonë njihej si problematike nivelit e ulët të pagesave të faturave të energjisë elektrike.