“I kudondodhuri”, Dokumentari i Zhani Tërpinit vazhdon rrugëtimin europian
“I kudondodhuri” titullohet dokumentari shqiptar i Zhani Tërpinit, i cili po vazhdon rrugëtimin e suksesshëm në festivalet e filmit me metrazh të shkurtër në Europë. "Whereverlly found", garon pas Tirana Film Festival, edhe në Festivalin e Spanjës. Gjithashtu ai është pjesë e edicionit të 9-të ndërkombëtar në Patras të Greqisë, e së fundmi në Grenzland Filmtage në Gjermani. Në edicionin e 31-të të Grezland Filmtage u përzgjodhën 50 filma dokumentarë me metrazh të shkurtër, eksperimentalë e vizatimorë. Midis shumë filmave të ardhur nga vende të ndryshme të botës, nga Finlanda, Amerika, Rusia, Izraeli, etj., Shqipëria përfaqësohej me dokumentarin “I kudondodhuri”, i cili u realizua në 2006-n në fshatin Progër, Bickë, Mancurisht të rrethit të Devollit - Korçë, me personazhin e quajtur Male (Petro Bami). Filozofia e jetës, e personifikuar në një personazh të thjeshtë, në rolin e të cilit mund të vendosej gjithë secili, paqja, mirësia dhe dashuria për jetën, apo galeria e tërë e kuadrove të mrekullueshme të natyrës shqiptare mes të cilave në vështirësitë e jetës është vendosur personazhi. Një ndjenjë humori e optimizmi, një njëri i thjeshtë që në mënyrë të çuditshme e befasuese ndodhet kudo në jetën e fshatit juglindor, që shndërrohet në një aktor të dashur për publikun në një kohë të shkurtër, sinqeriteti dhe optimizmi përfshijnë gjithë dokumentarin. Gjuha e thjeshtë dhe me humor, shpalos dashurinë e njeriut për punën, për të mbijetuar në një kohë të sotme, ku të kudondodhur mund të jenë të gjithë ata që kërkojnë të ngjiten diku, ndërsa 21 minutat e dokumentarit krijojnë një figurë të dashur, personifikim të paqes e mirësisë. Personazhi në një moment të dokumentarit përpiqet të ndreqë kryqin në kishën e vogël të atij fshati, ndërsa frazat se midis tri besimeve fetare ka paqe, duket se japin një tjetër mesazh shqiptar, aktual e me vlerë. Natyra shqiptare dhe xhirimet duket se e vendosin personazhin real midis tablove të një filmi artistik, duke i dhënë filmit optimizëm, gjallëri dhe duartrokitjen e publikut brenda e jashtë Shqipërisë.
Ekspozita
Jorgo dhe Teo Gogu, “Histori Rrëfenjash” në Muzeun Kombëtar
Mbrëmjen e djeshme është përuruar në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet ekspozita me 40 punime akreliku e dy artistëve (gjysh e nipi) Jorgo dhe Teo Gogut. Nën titullin “Histori Rrëfenjash” kjo ekspozitë vjen e plotësuar nga paraqitja e saj e mëparshme, që u bë vitin e kaluar në Galerinë e Arteve të Beratit. Artisti Jorgo Gogu, nuk e ndërpreu asnjë moment krijimtarinë e frymëzuar nga nipi i tij i dashur Teo, rezultat i së cilës është dhe ekspozita që vjen në Muzeun Kombëtar. Ekspozita prezanton një seri pikturash ku informacioni i kodifikuar vjen nga bota e fëmijëve me në fokus luftës mes së mirës dhe së keqes. Pikturat janë të dimensioneve të mëdha dhe kjo nuk vjen si një zgjedhje e rastësishme; “Histori Rrëfenjash” synon të zbulojë atë ç’ka arti mund të ndikojë në jetën tonë. Publiku artdashës do të ketë mundësinë që ta vizitojë ekspozitën në fjalë deri në fund të qershorit ‘08.
30 Maj 2008