“Zjarri i Anadollit” do të “ndezë” Pallatin e Kongreseve në Tiranë
Petrika GROSI
Ditën e parë të qershorit, në metropolin shqiptar pritet të vijë grupi i famshëm i valltarëve turq “Zjarri i Anadollit”, i njohur edhe si mbajtës i rekordeve Guinnes për audiencën më të madhe (10 milionë spektatorë). Ky eveniment nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e fuqishme të kompanive “Eagle Mobile”, “Albtelecom” dhe “Alpet”, të cilët janë dhe sponsorët kryesorë.
Kompania e Dancit “Zjarri i Anadollit” është konsideruar nga kritika si grupi më i mirë i kërcimit folk në botë. Ky grup ka dhënë shfaqje në vende të ndryshme duke nisur që nga Ballkani, Europa, (Francë, Spanjë, Egjipt, Hungari, Itali), Rusi, Japoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë etj. Grupi i njohur i valltarëve turq do të vijë në Tiranë pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe do të japë një spektakël madhështor në Pallatin e Kongreseve. Prezantues të shfaqjes do të jenë gazetari Reis Çiço dhe bukuroshja fituese e konkursit të bukurisë “Miss Tirana 2007” Almeda Abazi. Sponsor gjeneral i kësaj sipërmarrjeje është operatori i tretë i shërbimit celular në Shqipëri, kompania turke “Eagle Mobile”. Repertori i “Zjarrit të Anadollit” është i pasur me figura folklorike e mitologjike që kanë të bëjnë me traditën e vjetër turke, sulltanët, vezirët, etj. Qysh prej krijimit të tij, grupi i njohur ka pasur si qëllim që t’i bëjë të njohur botës shpirtin antik të dashurisë dhe historinë kulturore të Anadollit. Drejtori, ideatori dhe iniciatori i këtij grupi është z.Mustafa Erdogan, i cili ka fituar çmime në festivale të ndryshme kërcimi me kompanitë e tij. Fillimisht, (1999) grupi është quajtur “Sulltanët e Kërcimit”. Në të janë pranuar 90 kërcimtarët më të talentuar ndër 750 kandidatë të paraqitur. Në një disiplinë të rreptë, kërcimtarët kanë provuar dhe ndërtuar numrat e tyre. Thuhet se në fillim ata kanë punuar madje deri në 16 orë në ditë.
Emri i grupit ndryshoi pas suksesit të madh të arritur në Turqi duke u bërë në vitin 2001 “Zjarri i Anadollit”. Suksesi ka qenë i padiskutueshëm për grupin turk pasi biletat për shfaqjet e tyre nisën të shiteshin që disa muaj para.
30 Maj 2008