E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama inspekton prishjen e ndërtimeve pa leje pranë Oxhakut



Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar me prishjen e ndërtimeve pa leje. Këtë herë në qendër të prishjes së ndërtesave pa leje, ka qenë Blloku i banimit Nr.61 në kryeqytet, pranë Oxhakut.
Kryetari i Bashkisë Edi Rama ka marrë pjesë në aksionin që Inspektoriati Ndërtimor ka nisur për prishjen e ndërtimeve, duke u shprehur se kryeministri nuk duhet të shtyjë amendamentet e Ligjit të legalizimeve që janë një barbarizëm dhe që janë një tregti e ulët politike me interesat e së nesërmes. “ky është vendi dhe rasti për t’i thënë Kryeministrit të Shqipërisë, se duhet të mos shtyjë më tutje amendamentet e Ligjit të legalizimeve që janë një barbarizëm dhe që janë një tregti e ulët politike me interesat e së nesërmes, të të ardhurve dhe të fëmijëve, të atyre që kanë qenë në Tiranë, me interesat e një komuniteti të tërë që nuk meriton të jetojë në një xhungël për shkak të një vizioni primitiv që ka Kryeministri” -, u shpreh Rama. Ky bllok është pjesë e Njësisë bashkiake Numër 4. Aksioni, i cili ka ditë që ka filluar synon prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, duke i hapur udhë kështu rehabilitimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të cilësisë së banimit, si pjesë e një projekti të madh që do të vazhdojë të shtrihet edhe në pesë blloqe të tjera banimi. Ky bllok përbëhet prej 30 hektarësh që do të transformohet rrënjësisht që nga infrastruktura nëntokësore deri tek ambientet çlodhëse mes pallateve.

30 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›