E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga nga ecëm

Gjeorgjia dhe Ukraina do të mbajnë frymën për ndonjë njoftim lidhur me kërkesat e tyre për t’u bërë pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësim, i njohur ndryshe si MAP (Membership Action Plan), gjatë samitit që nisi dje punimet në Bukuresht. Edhe pse MAP-i nuk garanton anëtarësimin në të ardhmen, de fakto ai i vendos vendet në rrugën drejt bashkimit me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Deri më tani, çdo vend që ka marrë pjesë në MAP i është bashkangjitur NATO-s, ose pritet ta bëjë një gjë të tillë shumë shpejt. Nëntë vendeve iu dha MAP-i në vitin 1999: Shqipërisë, Bullgarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë. Të gjithë përveç fqinjëve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë e Maqedonisë, u anëtarësuan në NATO gjatë valës së madhe të zgjerimit të Aleancës në vitin 2004. Në faqen e internetit të NATO-s, MAP-i përshkruhet si një program këshillimi, asistence dhe mbështetje praktike për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Aleancë. Por çfarë do të thotë praktikisht pjesëmarrja e vendeve në këtë plan? “MAP-i është një paketë kriteresh që një vend duhet të plotësojë, për të treguar progresin e tij në procesin e reformave ushtarake, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm demokratik e politik”, - shpjegon

Alastair Kameron, kreu i Programit të Sigurisë Evropiane në Institutin e Shërbimeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë me bazë në Londër. Ai shpjegon se reformat në planin ushtarak duhet ta çojnë këtë sektor në standardet e shteteve anëtare të NATO-s dhe të tregojnë se forcat e tyre të armatosura janë nën kontroll demokratik. Vendeve pjesëmarrëse u kërkohet të zgjidhin çdo mosmarrëveshje etnike apo territoriale me mjete paqësore, të tregojnë angazhimin e tyre për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të promovojnë lirinë sociale e ekonomike. Anëtarët e MAP-it duhet të garantojnë gjithashtu, se legjislacioni i tyre i brendshëm nuk paraqet ndonjë vështirësi në bashkëpunimin e tyre me NATO-n. Çdo MAP “i qepet” vendit aplikant sipas profilit të tij dhe varion në kohëzgjatje. Dy prej tre vendeve, aktualisht anëtarë të këtij plani, Shqipëria dhe Maqedonia, kanë rreth 10 vjet që presin ftesën për t’iu bashkangjitur Aleancës. Pritet që ato ta arrijnë një gjë të tillë pikërisht në këtë samit, megjithëse mosmarrëveshja mes Athinës e Shkupit për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë mund të djegë shanset e këtij vendi për anëtarësim. Një vend i tretë ballkanik, Kroacia, u bë anëtare e MAP-it në vitin 2002 dhe pritet gjithashtu të marrë ftesën për anëtarësim. Dy vende të tjera që dolën nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë shprehur interes në marrjen e MAP-it, por nuk pritet të bëhen pjesë e planit në Bukuresht. Të gjitha anëtaret e reja dhe aspirantet e NATO-s gjatë 10 vjetëve të kaluara kanë dalë nga një program i ndarë i Aleancës: Partneriteti për Paqe, i cili u krijua në vitin 1994, për të zbutur marrëdhëniet mes Aleancës, shteteve të Evropës dhe ish-anëtareve të Bashkimit Sovjetik. Kështu, si çdo vit, NATO-ja do të vlerësojë performancën e vendeve anëtare të MAP-it (Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia) në këtë samit, dhe më pas t’u dorëzojë atyre ftesat për anëtarësim. Ndërsa sipas analistëve, ka shumë pak shanse që Ukraina dhe Gjeorgjia të bëhen pjesë e planit, pavarësisht dialogut të tyre të intensifikuar me NATO-n.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›