E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lidhur me Palermon

Pajtim Kasami nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Palermo gjatë janarit, me gjithë interesimin e disa ekipeve nga Serie A dhe B për shërbimet e tij. 18 vjeçari thotë se ndihet mirë në ekipin Rosanero, edhe pse udhëheqësit e klubit sicilian planifikojnë ta japin hua gjatë dimrit. Nga Express më 14 dhjetor 2010 në ora 12:36

Përkundër interesimit të disa skuadrave për shërbimet e tij, por edhe mundësisë që nuk e kanë përjashtuar udhëheqësit e Palermos për një huazim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit, Pajtim Kasami nuk dëshiron të largohet në janar.

Mesfushori shqiptar, i cili kontribuoi me lojë të mirë në fitoren e së shtunës kundër Parmës, i ka idetë e qarta për të ardhmen e tij. Ndërkohë, ekipet si Chievo, Cesena e Padova e ndjekin me kujdes futbollistin nga Maqedonia.

“Nuk më interesojnë zërat e afatit kalimtar, unë jam këtu dhe e falënderoj Zamparinin, Sabatinin dhe trajnerin Rossi që më kanë sjellë këtu dhe dëshiroj ta jap kontributin tim te Palermo”, deklaroi 18 vjeçari për ueb faqen italiane mediagol.it.

“Sa i përket të ardhmes sime, dëshiroj të qëndroj këtu dhe ta jap më të mirën. Jam 18 vjeç dhe kam gjithçka përpara meje. Jam i kënaqur që punoj me një trajner të jashtëzakonshëm dhe me një skuadër të shkëlqyeshme, për të tjerat nuk po mendoj”, vazhdoi ai.

Kasami thotë se nuk i intereson se çfarë mesfushori arrin në skuadër, pasi që ai e shikon vetëm punën e tij, të cilën, shton ai, e bën me përkushtim.

Përfaqësuesi U21 i Zvicrës deklaron se nuk e ka problem pozitën në të cilën luan, pasi për këtë vendos trajneri Delio Rossi. “Trajneri e di se kualiteti im është që të luaj i avancuar, por edhe në mes të fushës”, nënvizoi kampioni i botës me U-17 të Zvicrës.

Kasami ka mbetur rezervist këtë sezon, pasi që trajneri Delio Rossi në mesfushë i beson më shumë dyshes Pastore-Ilicic. Andaj, udhëheqësit e Palermos po planifikojnë ta huazojnë në një ekip tjetër për të fituar përvojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›