Motori i Brescias

Ndryshimet në shtabin teknik të Brescias nuk kanë sjellë kurrfarë problemi për Përparim Hetemajn. Madje, mesfushori kosovar e ka rrëmbyer menjëherë zemrën e trajnerit të ri të ekipit italian, Mario Beretta.
Ai ka qenë më shumë se i kënaqur me paraqitjen e 24 vjeçarit në fitoren e së dielës ndaj Sampdorias, pas 11 ndeshjesh ‘agjërimi’. Trajneri i ri i ekipit bardh e kaltër e ka lavdëruar përfaqësuesin finlandez pas ndeshjes.
“Ai më tha ‘makinë’. Nuk kam bërë diçka speciale, por kam bërë presion të vazhdueshëm dhe e kam fituar një pjesë të madhe të dueleve. Trajnerit të ri i pëlqejnë lojtarët agresivë. Italia ka një kampionat ku nevojitet inteligjenca, por pjesa dërrmuese e futbollistëve me të vërtetë janë agresivë”, deklaroi futbollisti drenicas për të përditshmen finlandeze Iltalehti.
Fitorja e fundit për Brescian datonte më 22 shtator kundër Romës, ku ishte pikërisht futbollisti kosovar që shënonte njërin nga golat. Brescia gjendet në pjesën e poshtme të tabelës në Serie A, mirëpo ish futbollisti i AEK Athinës, i cili të dielën i mbushi 24 vjet, nuk i druhet rënies nga elita e futbollit italian.
“Kemi një skuadër që nuk ka dhe aq eksperiencë, por duhet të mbretërojë te ne dëshira për të luftuar vazhdimisht”, përfundoi Hetemaj i cili gjatë verës që shkoi u transferua te Brescia, pas një përvoje të shkurtër dhe zhgënjyese në kampionatin holandez me Twenten.