E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si asnjëherë më parë

Federata e Futbollit e Kosovës po bën përpjekje që ceremoninë për shpalljen e sportisti të vitit 2010 ta organizojë si asnjëherë më parë. Për këtë mbrëmje janë ftuar të marrin pjesë krerë të federatave të ndryshme evropiane, këshilltarët e prijësve të FIFA’s dhe UEFA’s, si dhe ish yje të futbollit. Nga Valon Konushevci më 14 dhjetor 2010 në ora 12:39

Shpallja e sportistit të vitit 2010 në futbollin kosovar pritet të zgjidhet në një mbrëmje madhështore.

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) po punojnë intensivisht rreth organizimit të kësaj ceremonie, e cila do të mbahet në Prishtinë më 6 janar të vitit që po vjen.

Nënkryetari i shtëpisë së futbollit kosovar, Agim Ademi, i cili njëherësh i prinë komisionit për organizimin e kësaj ceremonie, thotë se shpallja e sportistit të vitit do të bëhet në mënyrë madhështore, si asnjëherë më parë.

“Jemi duke punuar intensivisht rreth organizimit të ceremonisë së shpalljes së sportistëve të vitit. Jemi të përkushtuar që këtë ngjarje të shndërrojmë në një spektakël të madh. Duam të dëshmojnë gjithandej se Kosova ka futboll dhe se shteti ynë e meriton sa më shpejt të anëtarësohet në FIFA e UEFA”, deklaroi Ademi për Express.

“Njëherësh duam që kjo ceremoni t’u shërbejë edhe futbollistëve dhe trajnerëve tanë si stimulim për të vazhduar me përkushtim punën ndaj futbollit”, shtoi ai.

Në anën tjetër, burimet e Gazetës Express brenda FFK-së kanë treguar se në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë edhe personalitete të ndryshme me ndikim në futbollin evropian e botëror.

“Janë ftuar kryetarët e federatave të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë, Luksemburgut dhe zyrtarë tjerë nga këto federata. Po ashtu janë ftuar zyrtarë edhe nga federata tjera si nga ajo e Suedisë, e Norvegjisë, etj”, ka thënë burimi.

“Vlen të theksohet se Eduard Dërvishi, zyrtar i Federatës së Futbollit të Spanjës, po mundohet ta bind kryetarin e kësaj federate, Angel Maria Villar, i cili njëherësh është nënkryetar i FIFA-s dhe UEFA-s, që të merr pjesë në këtë ceremoni që e organizon FFK-ja”, shtoi ai.

Sipas këtij burimi, drejtuesit e futbollit kosovar u kanë dërguar ftesa edhe këshilltarëve të prijësve të FIFA-s dhe UEFA-s, por edhe ish futbollistëve të njohur.

Gjithnjë sipas këtij burimi, FFK-ja për ceremoninë e shpalljes së sportistit të vitit po fton edhe ish yje të futbollit mbarëshqiptar dhe futbollistë tjerë shqiptarë që aktualisht aktivizohen nëpër liga të ndryshme evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›