E Diel, 1 Nëntor 2026

I liruari nga burgu, "truri" i vjedhjes së 80 mijë eurove

TIRANE - Personi që vodhi 80 mijë euro në shtëpinë e biznesmenit me iniciale Xh.Q., në Dajt, pasi u lirua nga burgu për sjellje të mirë, ka organizuar në detaje grabitjen e shumës financiare. 

Kështu janë shprehur dje, krerët e Zyrës së Hetimit të Vjedhjeve, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas këtyre burimeve, mësohet se ideatori dhe truri i këtij grupi vjedhësish që kishin për objekt banesat, ka qenë Klodian Meraja, 31-vjeçari i cili kishte marrë leje nga burgu i Shën Kollit në Lezhë, një javë më parë për sjellje të mirë, pasi vuante aty një dënim për vjedhje. Ai mësohet se ka joshur edhe dy femra, Afërdita Lelën të arrestuar dhe Elsa Kajën 21 vjeçe, studente në vitin e tretë, në degën e Sociologjisë. Kjo e fundit ndiqet nga policia në gjendje të lirë, pasi sipas policisë nuk rezultoi plotësisht e përfshirë në vjedhje. Klodian Meraja dhe miku i tij, Jashar Meta, i arrestuar disa herë më parë për vjedhje, kanë marrë dy vajzat dhe me një makinë kanë mbërritur në fshatin Tufinë, mbi varrezat e Tiranës. Pasi janë bindur se në banesën e biznesmenit nuk kishte njeri, autorët e krimit janë afruar dhe kanë hyrë në shtëpi. Një prej tyre ka qëndruar jashtë banesës, ndërsa personi tjetër ka hyrë aty dhe ka shkuar drejt në dhomën e gjumit. Në dollapin e rrobave, biznesmeni kishte shumën e parave, 80 mijë euro. Sapo kanë marrë paratë katër personat kanë lëvizur me shpejtësi me automjetin BMW, me targa të Tiranës duke u vendosur në një banesë në kompleksin e "Mak Albania", në Golem të Kavajës. Menjëherë sapo biznesmeni ka zbuluar se i kishin vjedhur paratë, i ka telefonuar disa miqve të tij, por nuk dinte si të vepronte. Në fund ai ka vendosur të denoncojë në polici, ndërsa gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes blutë nuk kanë gjetur gjurmë, pasi kishin përdorur doreza. Dëshmia e disa banorëve për targat e makinës që kishte qëndruar pranë banesës së biznesmenit, zbuloi autorët e krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›