Motivi, rigjykim vrasjes së Eva Vishajt
Fatos Mahmutaj
Albenc Ago, i dënuari për vrasjen e Eva Vishës, do të rigjykohet. Gjykata e Tiranës vendosi dje të pranonte kërkesën e tij me argumentet se ishte vërtetuar që 38-vjeçari kryeqytetas nuk kishte marrë dijeni për procesin që po zhvillohej në ngarkim të tij në Tiranë, ndërsa fshihej në Itali që nga viti 1997. Tashmë Ago do ketë mundësi të mbrohet vetë përballë akuzës dhe të tregojë versionin e tij për krimin që ka kryer në vitin 1997, kur kryente detyrën e shoferit të PS së Tiranës. Seancën e djeshme, nuk u paraqit i dënuari Ago dhe as familjarët e viktimës Vishaj, kjo për shkak se Ago kishte deklaruar që do përfaqësohej në mungesë nga avokati që kishte zgjedhur vetë. Seancën e dy javëve më parë mbrojtësi ligjor i Agos i paraqiti gjyqtarit të çështjes dokumentacionin që shoqëronte kërkesën për rishqyrtimin e dosjes penale. Albenc Ago është dënuar në mungesë me 20 vjet burg nga Gjykata e Tiranës, pasi është gjetur fajtor për vrasjen e Eva Vishës, nënës së këngëtares së njohur Elsa Lila, në maj të vitit 1997. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kilometrin 29 në rrugën Tiranë-Elbasan, në zonën e Qafë-Kërrabës. Ndërsa pas ekzekutimit të Vishës me një plumb në sy, Ago është larguar në drejtim të paditur. Gjetja e kufomës së Vishës u bë shkak që policia dhe Prokuroria të nisnin çështjen penale, por për rreth 6 vjet kjo dosje qëndroi e pezulluar për mungesë të autorëve. Në fillim të vitit 2003, Policia Gjyqësore dhe Prokuroria rihapën çështjen, ndërsa u akuzua Albenc Ago, aktualisht 40-vjeç, si autor i vrasjes së Vishës. Më pas, ky u gjykua në mungesë dhe pasi u shpall fajtor u dënua me 20 vjet burg në mungesë. Pak muaj më parë ai u arrestua në Itali, ndërsa më 13 mars të këtij viti u ekstradua për të vuajtur dënimin e marrë në mungesë. Kur u mbyll në qeli Ago u njoh me vendimin, i cili kishte marrë formë të prerë si pasojë e mos ankimimit nga ana e tij dhe mbrojtësit të caktuar kryesisht nga gjykata. Pasi u përball me këto fakte Ago iu drejtua gjykatës me kërkesën për të rivendosur në afat dosjen, që do të thotë t'i jepej mundësia për t'u ankuar ndaj vendimit që dhënë në mungesë dhe që po e vuan aktualisht. Ndërkohë, në një fazë tjetër, Ago kërkoi rigjykimin e çështjes në shkallë të parë, me pretendimin që të jetë i pranishëm gjatë procesit dhe të përballet vetë me akuzat në ngarkim të tij. Ago e kërkoi vendosjen në afat të dosjes së tij që nga momenti i ekstradimit nga Italia, por pas hedhjes së shortit elektronik gjyqtari që mori në dorë padinë hoqi dorë nga ajo për arsye procedurale. Pas kësaj, kërkesa e Agos iu nënshtrua një shorti të dytë në gjykatë ku u caktua për ta shqyrtuar gjyqtari Gerd Hoxha. Nëpër seancat gjyqësore nuk kanë munguar familjarët e viktimës, mes të cilëve edhe vajza e saj Elsa Lila. Ndërkohë në një prononcim televiziv të pak kohëve më parë prindërit e viktimës Eva Vishaj kanë kërkuar rihapjen e dosjes në mënyrë që të përcaktohej shkaku i krimit.