E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lumtur për golin e parë

Mesfushori i Liverpoolit, Alberto Aquilani, ndihet i lumtur me golin e parë që e shënoi të hënën mbrëma në Premierligë. 25-vjeçari lëvizi në Angli gjatë verës që shkoi nga Roma, e cila u pasurua me 18 milionë funte, nga shitja e tij. Mesfushori italian në fillim u përball me lëndime, por duket se tashmë e ka marrë veten dhe po mendon të shkojë përpara.

Menaxheri Rafael Benitez ia besoi atij një vend në përbërjen e parë kundër Portsmouthit dhe ish-Giallorossi shënoi golin e parë, në fitoren 4:1.

“Ndihem me të vërtetë mirë, sepse e shijova golin e parë, pas një kohe të gjatë. Po ashtu jam i lumtur për rezultatin, ngase na nevojitej. Goli është gjithmonë më special, ngase e shënova përballë Kopit (tifozeria e Liverpool). Kur pata ardhur këtu, pata thënë se dëshiroja të shënoja përballë Kopit dhe ky moment arriti. E di se do ta kem vështirë të fle sonte, mbi të gjitha, pasi luajta 90 minuta”, u shpreh Aquilani për ueb faqen zyrtare të Liverpoolit.

Pa marrë parasysh fitoren kundër Pompeyt, mesfushori italian ka vend për përmirësime. “Mendoj se luajta mirë, por më duhet të përmirësohem ende hap pas hapi. Tash ne po mendojmë për ndeshjen e ardhshme”, tha në fund italiani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›