E Diel, 1 Nëntor 2026

Merr haberin

Më në fund, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka informuar edhe zyrtarisht përzgjedhësin Agim Kasapolli, për ndeshjen ekzibicionale “All Star”, ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe lojtarëve të huaj që luajnë në vend.

Këtë e ka bërë të ditur vetë trajneri pejan, i cili tash po mendon për hapat e mëtutjeshëm.

“Po, dje pasdite (të hënën) më arriti shkresa zyrtare prej Federatës për ndeshjen ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe basketbollistëve të huaj. Çdo gjë është në rregull. Për më tepër, flasim në konferencë”, ka thënë të martën për Express, Kasapolli.

FBK-ja ka njoftuar se, të premten, në ora 11, do të mbahet konferencë për media nga selektori i reprezentacionit të Kosovës, Agim Kasapolli.

Ky i fundit do ta bëjë publike listën e lojtarëve të cilët do ta përfaqësojnë reprezentacionin e Kosovës për ndeshjen ‘All Star’ kundër lojtarëve të huaj që luajnë në TechnoMarket Superligën e Kosovës në basketboll, e që do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Prizren, në ora 18:00.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në mbledhjen e vet të mbajtur më 26 shkurt, kishte vendosur për zhvillimin e kësaj ndeshjeje ekzibicionale. Por, shtëpia e basketbollit kosovar nuk e kishte parë të arsyeshme ta njoftojë për këtë ndeshje zyrtarisht udhëheqësin e ekipit kosovar deri të hënën mbrëma.

Përzgjedhës i përfaqësueses së të huajve do të jetë Muharrem Vugdaliq, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Panqe Milevski dhe Boban Mitev. Vitin e kaluar, ndeshja ekzibicionale ‘All Star’, në mes të përfaqësueses së Kosovës dhe përfaqësueses së zgjedhur nga lojtarët e huaj që luajnë në vend, ishte zhvilluar në Therandë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›