E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, fitoje Scudetton për mua!

Pasi ka kryer intervenimin kirurgjik në tendonin e thembrës, që e kishte çarë në ndeshjen e Milanit kundër Chievos, David Beckham është qetësuar. Ai do të qëndrojë në Finlandë deri të mërkurën, ndërsa do ta lëshojë klinikën Turku, për të shkuar në Londër, e më pas do të transferohet në Los Angeles, për ta filluar rehabilitimin.

“Pas operimit, Beckham ka humor të mirë”, sigurojnë mjekët finlandezë, që e operuan mesfushorin anglez. Ndërkohë, Beckham u ka shkruar mesazh bashkëlojtarëve të tij, për të cilët ka një porosi: “Fitojeni Scudetton për mua”. Ndërkohë, arrijnë dy mesazhe të rëndësishme nga Anglia.

Kryeministri anglez, Gordon Brown, i ka uruar shërim të shpejtë Beckhamit. Kurse, selektori Fabio Capello është munduar t’ia zbusë dhimbjen, duke i siguruar futbollistit se do të jetë pjesë e kontingjentit të përfaqësueses angleze në Botërorin e Afrikës së Jugut, sigurisht jo si futbollist. Kjo nuk do të thotë se Beckham e ka përfunduar eksperiencën e tij nuk përfaqësuesja, ngase trajneri italian, Capello, llogarit ende në të.

“Shpresoj që Beckham të jetë i gatshëm për kualifikimet e Euro 2012, sepse mbetet njëri prej futbollistëve më të mirë anglezë në qarkullim”, është shprehur Capello.

Edhe trajneri i Los Angeles Galaxy, Bruce Arena, i ka uruar veteranit anglez të futbollit rikthim sa më të shpejt në fushë, pasi klubi amerikan, i cili e mban kartonin e tij, e konsideron Becks si futbollist të rëndësishëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›