E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lumtur tek Swansea

Shefki Kuqi ia ka dhuruar një fitore mjaft të rëndësishme të shtunën ekipit të tij Swansea City, në terren të Derby Countyt. Ai ndihet mjaft i gëzuar që e dërgoi Swanseas në pozitën e katërt, që i mundëson skuadrës së menaxherit Sousa të luajë në play-off, një mundësi më shumë për inkuadrim në Premierligë.

“Jam me të vërtet i kënaqur, jo vetëm për golin, por edhe për tre pikët, pasi djelmoshat bënë aq shumë sakrificë”, ka thënë 33 vjeçari për BBC. Taktikat e bëra në stërvitje sollën sukses, sepse Swansea shënoi pikërisht nga një situatë me të cilën kishin punuar gjatë javës. “Ne po ushtronim gjuajtje të lira dhe kornerë çdo ditë në stërvitje dhe kjo na u shpagua”, vazhdoi veterani me nënshtetësi finlandeze.

Kuqi nuk është aspak pishman që e zgjodhi Swansea Cityn, pasi u largua në janar nga klubi gjerman Tus Koblenz. “Kemi një grup të mirë futbollistësh, ndërsa mbretëron një atmosferë e pabesueshme. Jam mjaft i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Kisha mundësi të tjera, por unë vendosa të vija këtu. Kishte diçka të veçantë që ndikoi tek unë, që ta zgjedh Swansean. Ne po shikojmë mundësinë që ta kemi një fund të sezonit me të vërtet emocionues”, vazhdoi Kuqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›