Hapet gara në Serinë A, Roma, tani -5 nga Interi
Hapet zyrtarisht gara për titull në Serinë A italiane. Roma fiton 1-0 në takimin e luajtur në stadiumin “Olimpiko” dhe tashmë ndodhet vetëm 5 pikë larg Interit kryesues. Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi e verdhekuqve të drejtuar nga trajneri Klaudio Ranieri, të cilët mund të besojnë vërtet në përmbysjen e pozitave në klasifikimin e kampionatit. Një sfidë vendimtare në garën për titull do të jetë përballja direkte e 28 marsit, ku Roma pret në fushën e saj zikaltërit e drejtuar nga Zhoze Murinjo.
Pavarësisht mungesave të shumta (Zhulio Serxho, Pizarro, Toti e Mekses), kryeqytetasit konfirmuan se kanë një skuadër kompakte dhe tashmë janë më të bashkuar se kurrë drejt objektivit që vetëm pak javë më parë dukej i pamundur për t’u besuar: triumfit në kampionat. Ndeshja me Katanian nuk ishte aspak spektakolare, por Roma u tregua pragmatiste dhe mjaft e aftë që të konkretizonte një prej rasteve të pakta që krijoi. Episodi vendimtar u regjistrua në minutën e 20 të lojës, kur Vuçiniç devijoi drejt rrjetës një harkim nga goditje këndi. Sulmuesi malazez konfirmohet si një lojtar që shënon vetëm “gola me peshë” dhe vazhdimësia e tij mund të rezultojë vendimtare deri në fund të sezonit. Me gjithë fitoren dhe hapjen virtuale të garës, trajneri Ranieri kërkon të ulë entuziazmin. Ai nuk e ka humbur rastin për të komentuar edhe ndeshjen Inter-Sampdoria, e cila u mbyll mes polemikave për arbitrimin e Taljaventos. “Ende nuk mund të themi se kampionati është hapur. Po punojmë në mënyrë të jashtëzakonshme, por jemi larg sprintit final të sezonit”, deklaroi tekniku. “Ndeshja ndërmjet Interit dhe Sampdorias? Gjyqtari nuk gaboi në asnjë prej episodeve, përkundrazi mendoj se ai e drejtoi takimin në mënyrë të shkëlqyer në një ambient të vështirë. Komplimente Taljaventos për vendimet e tij. Mendoj se edhe Milito mund të ishte nxjerrë nga fusha me karton të kuq, pas faullit ndaj Palombos”.
Java e 25 e kampionatit italian ka sjellë lajme pozitive edhe për Juventusin. Bardhezinjtë fituan 2-1 në fushën e Bolonjës, falë dy golave të Diegos dhe Kandrevas. Barazimi i përkohshëm i vendasve me Bushe nuk i demoralizoi lojtarët e Zakeronit, të cilët arritën të merrnin tri pikë të rëndësishme. “Zonja e Vjetër” ngjitet në vendin e katërt, ku ndodhet e vetme në kuotën e 41 pikëve. Juve kthehet në zonën Champions League, për herë të parë prej shkarkimit të trajnerit çiro Ferrara, edhe falë barazimit të Napolit në fushën e Sienës. Mbyllja e kampionatit në vendin e fundit, që i siguron skuadrave të Serisë A një “biletë” në aktivitetin më prestigjioz për klube në kontinent, është objektivi minimal që duhet të realizohet. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për torinezët, duke llogaritur edhe atë në Europa League kundër Ajaksit, që më në fund duket se kanë gjetur pak qetësi gjatë këtij sezoni. Në garën për një vend në Champions, edhe Palermo ka regjistruar një fitore të rëndësishme përballë Lacios. Me rezultatin 3-1, trajneri Rosi shijon edhe hakmarrjen ndaj ish-skuadrës së tij.
#