E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali mendon Venger, nëse Murinjo refuzon ofertën

Spanjë

Reali i Madridit është gati të “joshë” trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger, nëse Zhoze Murinjo do të refuzojë ofertën për t’u emëruar në krye të stolit “merengue”. Sipas së përditshmes britanike, “Daily Mail”, drejtuesit madrilenë po studiojnë të gjitha alternativat për pasardhësin e Manuel Pelegrinit, në rast se skuadra nuk arrin të përmbysë humbjen 1-0 në Champions League përballë francezëve të Lionit. Një gol i jashtëzakonshëm nga Zhan Makoun e ka bërë të vështirë kualifikimin e Realit në çerekfinalet e aktivitetit më prestigjioz për klube në Europë. Nëse spanjollët nuk do ta kthejnë rezultatin në favorin e tyre në “Santiago Bernabeu”, si pasardhësi më i mundshëm i Pelegrinit është përfolur trajneri i Interit, Murinjo. Megjithatë, portugezi u distancua nga këto zëra, duke i cilësuar vetëm spekulime. Nëse tekniku zikaltër nuk do të pranojë detyrën në Madrid, Florentino Perez ka ndërmend të përqendrohet tek Arsen Venger. Francezi, i cili punon te “topçinjtë” prej vitit 1996, ishte alternativa e parë gjatë verës, përpara emërimit të Pelegrinit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›