E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë largimin e kryesisë

Ashtu siç kishte paralajmëruar, tifozeria vushtrriase, Forca, e mbështetur nga rreth 100 anëtar të saj, të dielën e ka mbajtur një protestë pranë stadiumit në Vushtrri.

Kjo protestë vjen pas krizës nëpër të cilën po kalon klubi vushtrrias. Kryesia e klubit ditë më parë kishte paralajmëruar se nga skuadra mund të largohen lojërat kryesorë, ndërsa sezonin ta vazhdojë me futbollistë të rinj, në mënyrë që ta përtërijë ekipin.

Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Forcës, e cila kërkon largimin e disa zyrtarëve nga kryesia e klubit, për të cilët thotë se po e dërgojnë skuadrën drejt një lige më poshtë.

“Sot u mblodhëm përpara stadiumit për të protestuar kundër kryesisë së klubit. Ne kërkojmë largimin e kësaj kryesie, e cila po dëshiron ta shkatërrojë klubin. Ata po duan që Kosovën (V) ta shndërrojnë në ekip të dytë të Prishtinës”, deklaroi për Express kryetari i Forcës, Shkëlzen Kajtazi.

Tifozët e klubit bardh e kaltër paralajmëron se nuk do të ndalet me kaq. “Ne do të vazhdojmë me protesta derisa të largohet kryesia. Para se të vinte kjo kryesi, ekipi ynë i kishte më mirë punët”, u shpreh Kajtazi.

Ndërsa pas këtyre protestave, kryesia e bardhekaltërve mbetet me qëndrim të njëjtë – ajo do të vazhdojë ta udhëheq klubin dhe do ta rinojë ekipin.

“Ne dëgjuam për protestën e Forcës. Por, ata duhet ta kenë të qartë një gjë: ne nuk jemi në kohën e “Titos”. Kosova (V) është privatizuar dhe vepron në interesa të klubit. Ne nuk e kemi ndërmend të largohemi, por e mirëpresim ndonjë aksionar që është i interesuar. Ne mbetemi me qëndrimin që ta përtërijmë ekipin, ngase disa futbollistë me përvojë, edhe pse kishin kontratë me ne, kanë shprehur interesim që të largohen”, deklaroi nënkryetari i klubit, Fadil Krasniqi.

Tifozët bardh e kaltër thonë se janë dy apo tre zyrtarë të klubit, të cilët po e degradojnë skuadrën në vend që ta çojnë atë më sa më lart, ashtu siç edhe i obligon kontrata në bazë të cilës e kanë marrë mbi supet e tyre menaxhimin e Kosovës (V).

Kollari pranë Kosovës

Kosova e Vushtrrisë të hënën pritet t’i lirojë disa prej futbollistëve të përbërjes së parë të ekipit. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i bardh e kaltërve, Basri Asllani.

“Sonte e mbajtëm një mbledhje dhe vendosëm t’i lirojmë disa futbollistë që e kanë shprehur dëshirën të largohen, ndërsa vendosëm t’i mbajmë ata që kanë vlera dhe që mund të japin kontribut për ekipin. Kemi vendosur ta riorganizojmë ekipin”, deklaroi Asllani.

Ai njoftoi se të hënën do të emërohet trajneri i ri i ekipit, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë Besnik Kollari.

“Me Besnikun jemi në negociata dhe besoj se nesër do ta zyrtarizojmë marrëveshjen”, nënvizoi Asllani.

Futbollistët që pritet t’i lirojnë janë Bekim Musliu, Xhavit Mehmeti, Armend Zabërgja, Florim Sokoli, Alban Hoxha etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›