Arbitrat, revoltë kundër Murinjos, debate në pushim të Inter-Sampdorias
Të shtunën në mbrëmje në “Meaca” erdhi një moment kur Paolo Taljavento, gjyqtari i Inter-Sampdoria, u tremb se tifozët do të “pushtonin” fushën. Takimi ishte i tensionuar: tri kartonë të kuq (dy për Interin dhe një për Sampdorian) më se të merituar, ndëshkimi i Eto’o për simulim, Murinjo që bëri gjestin e prangave dhe tifozët që valëvisnin shami të bardha, ashtu siç ndodh në La Ligan spanjolle. Në Itali, arbitrat e të gjitha niveleve, me në krye shefin e “xhaketave të zeza”, Pierluixhi Kolina, janë vënë në mbështetje të Taljaventos dhe presin ndërhyrjen e fortë nga drejtësia sportive. “Tashmë Murinjo vërtet që e ka tepruar”, është njëra prej frazave që qarkullon mes “bilbilëve”: provokimet e vazhdueshme të teknikut zikaltër po i hedhin benzinë “zjarrit” të kampionatit. Sjellja e tij është e papranueshme dhe e rrezikshme. Sezoni është ende i gjatë, por tani po shfaqen shenjat e para të organizimit të një revolte. Gjatë këtij edicioni, portugezi është penalizuar dy herë. Gjithsesi, gjobat prej afro 15 mijë eurosh në secilin rast, duket se nuk i kanë bërë përshtypje trajnerit që përfiton 11 milionë euro në vit. Megjithatë, “prangat” pas daljes me karton të kuq të Samuel kanë nxitur polemikat: dikush kujton pezullimin me dy javë të Dino Baxhos (rreth dy vjet më parë), që kur luante te Parma i bëri gjyqtarit gjestin e parave. Po Mou çfarë nënkuptonte me veprimin e tij? Sipas gjasave, ai do të thirret nga Disiplinori për të treguar kuptimin e gjestit. Kësaj radhe, “speciali” rrezikon të paktën dy javë pezullim.
“Prangave” i shtohen edhe debatet që kanë ndodhur gjatë pushimit mes pjesëve të ndeshjes. Si në çdo sfidë të nivelit të lartë, Inter-Sampdoria u ndoq me vëmendje nga “spiunët” e Stefano alacit, prokurorit të Federatës Italiane të Futbollit. Të dërguarit nga Roma ishin në tunelin e “Meacas”, ku panë dhe dëgjuan gjithçka që ndodhi. Duket se një pjesë e madhe e interistëve ishte e acaruar me Pocin e Sampdorias dhe me gjyqtarin. Akuzat e thëna aty ishin të forta dhe ato do të shqyrtohen me detaje nga Disiplina.
#