E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mbijetuari ekzekutoi dy shokët

I plagosuri në ngjarjen e rëndë të Malësisë së Madhe është autori i vrasjes së dy shokëve të tij, Ton Ulaj, 28 vjeç dhe Gjergj Shotaj, 24 vjeç.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Ky përfundim është nxjerrë mbrëmë nga policia e Shkodrës, e cila pasi zbuloi një pistoletë me gjurmët e Ardian Narkajt, i komunikoi 35-vjeçarit urdhrin e arrestit për ekzekutim të dyfishtë.
Ndonëse që prej mesnatës së të mërkurës kur ndodhi krimi, Narkaj ishte në cilësinë e dëshmitarit, si i vetmi i mbijetuar, gjendja e tij ndryshoi pas ekspertizës në vendngjarje, në fshatin Bratosh, 42 km larg qytetit të Shkodrës. Policia e Shkodrës gjeti në vendin e krimit fillimisht 2 automatikë dhe 24 gëzhoja të këtyre armëve që u përkisnin viktimave, duke dyshuar se një përplasje me armë mes tyre, në gjendje tejet të dehur ishte dhe shkaku i vdekjes. Ndërsa pista tjetër e policisë ishte se Shotaj, Ulaj dhe Narkaj kishin rënë në pritën e personave të paidentifikuar, nga e cila shpëtoi vetëm 35-vjeçari. Dy viktimat njiheshin si shokë në zonën ku jetonin. Deri pak minuta përpara ngjarjes, ata së bashku me Narkajn kanë qëndruar për orë të tëra në një lokal në qendër të fshatit Bratosh, ku kanë konsumuar sasi të mëdha alkooli. Rreth orës 23:00 ata janë larguar nga lokali dhe vetëm pas pak minutash janë dëgjuar breshëri armësh. Trupat e dy djemve janë gjendur pranë njëri-tjetrit, ndërsa pak metra me tutje ka qenë vendi ku është plagosur Narkaj. Në rrëfimet e tij në polici, Narkaj ka pohuar se Ulaj dhe Shotaj kanë qëlluar kuturu në errësirë, pasi ata ishin në gjendje të dehur dhe nuk komandonin dot veten. Sipas tij, shkrehja e armëve prej Ulajt dhe Shotajt kishte ardhur pas disa fjalëve negative që qarkullonin në fshat për ata të dy. "Për të provuar se nuk kishin frikë nga askush dhe se nuk ishin të tillë, në shenjë inati kanë mbushur armët që kishin me vete dhe kanë filluar t'i shkrehin në ajër" mësohet të këtë thënë Narkaj. Bazuar në dëshminë e tij policia ka menduar se viktimat kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Por, gjetja e pistoletës së 35-vjeçarit dhe 6 gëzhoja të saj kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për motive ende të pazbardhura dyshohet e 35-vjeçari ka qëlluar dy të rinjtë e dehur, të cilët kanë mundur të shkrehin automatikët që mbanin në dorë për të rënë pa jetë brenda pak sekondash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›