E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe sa shuplaka duhen?!

Skënder Minxhozi

Vetëm 24 orë pasi një ambasador i fuqishëm në Tiranë hidhte apelin për t’i vënë imunitetet zyrtare në funksion të transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, në kryeqytet ndodhnin dy ngjarje që tregonin sesa aktual dhe i nevojshëm është një thirrje e tillë, që vjen nga bashkësia ndërkombëtare. Një sondazh i mbështetur nga USAID dhe i kryer para tragjedisë së Gërdecit (ka mjaft rëndësi të nënvizohet fort ky fakt), tregonte se 47.2% e shqiptarëve të anketuar mendojnë se korrupsioni ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë, kurse 83% e të punësuarve në administratën publike që u intervistuan, deklarojnë se korrupsioni në aparatin shtetëror është “Shumë i përhapur”, ose “Deri diku i përhapur”. Gjithashtu, 92% e të anketuarve thonë se korrupsioni ka prekur zyrtarët.
Fakti i dytë ka të bëjë me lënien në fuqi të arrestit shtëpiak për kreun e Tatimeve, Arben Sefgjini. Një fakt që ka shkundur administratën javët e fundit, kur është hapur për habinë e shumëkujt, një dosje e cila në kohën e socialistëve ishte konsideruar si e arshivuar. Përtej faktit që Prokuroria e Përgjithshme i është rikthyer një çështjeje që demaskon hapur jo vetëm qeverisjen e dikurshme të PD-së, por vetë liderin e saj Berisha, habia më e madhe ka të bëjë me mbrojtjen publike dhe kokëforte të kryeministrit për zyrtarin e tij të lartë. Një gjest jo rastësor, jo impulsiv dhe i pamenduar, por një avokati e hapur dhe e fortë, në disa dalje publike të Berishës. Mbrojtja e Sefgjinit, për mënyrën sesi ajo po na shfaqet para syve, zbulon indirekt jo vetëm një notë të lartë personalizimi që zoti Berisha i ka bërë kësaj ngjarjeje (sot kreu i tatimeve mbrohet praktikisht vetëm nga kryeministri, askush tjetër nuk po del të thotë një fjalë), por edhe idenë e çuditshme, madje skandaloze që ka kryetari i ekzekutivit të sotëm për drejtësinë, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe përgjithësisht figurën e nëpunësit civil të këtij shteti.
Nëse abstragojmë një moment, ne mund të shohim me sytë e mendjes se cila mund të jetë aktualisht situata në tatimet shqiptare. Një zyrtar i lartë i sistemit, kreu i tij, ndodhet i mbyllur në shtëpi dhe i firmos shkresat korente me korrier, pasi nuk e kalon dot pragun e derës. Ai nuk mund t’i përgjigjet asnjë ftese apo axhende ndërkombëtare, asnjë homolog nuk mund ta ftojë për të nënshkruar qoftë edhe një marrëveshje standarde në fushën e tatimeve, sepse drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk ka pasaportë. Ai është i izoluar nga hetimi që rëndon mbi të, por edhe institucioni që ai ende drejton ka ngecur në intransigjencën e zotit Berisha për të gjetur një zgjidhje tjetër. Të vetmen, më normalen, shkarkimin e Sefgjinit, deri sa ky të sqarojë pozicionin e tij në raport me ngjarjen e Remzi Hoxhës. Më tej akoma, mendoni sesi ndjehen mijëra, dhjetëra mijë subjektet ekonomike dhe bizneset në këtë vend, që detyrohen të paguajnë miliona euro tatime në një institucion, kreu i të cilit akuzohet jo nga mediat, jo nga opozita apo ndonjë i çmendur nga ata që bërtasin semaforëve, por nga Prokuroria e shtetit, për një krim tejet të rëndë. Si mund të ndjehen sot ata qindra policë tatimorë që shëtisin rrugëve gjithë ditën nga një kioskë në tjetrën, duke e ditur se institucioni që i paguan është si varka pa timonier. E pse e gjitha kjo? Sepse kryeministri mendon se ende nuk janë “pjekur” kushtet që tatimet të kenë një drejtor të ri, i cili të mund të dalë nga shtëpia në mëngjes për të bërë punën e shtetit!
Nga dy tablotë e mësipërme, sondazhi IDRA-USAID dhe rasti Sefgjini, shpaloset qartë një nevojë urgjente. Politike, sociale, por ndoshta edhe gjuhësore. Duke parë se asgjë nuk e bën të lëvizë, qoftë edhe një centimetër kryeministrin aktual nga gjuha e drunjtë e luftës kundër korrupsionit dhe sukseset madhështore të qeverisë së tij, mesa duket do të duhet riformuluar se çfarë kuptojmë me termin dhe fenomenin korrupsion. Nuk lëviz Berisha, atëherë të lëvizim fjalorët.
Shpesh në debatin publik dëgjohet sot shprehja “po sikur të ishte Berisha në opozitë dhe të ndodhnin gjëra të tilla, ç’do të bënte?”. Nuk është e vështirë të imagjinohet. E vështirë në fakt është të besohet që ky njeri, i cili në vitin 2005 i kishte hipur kalit të bardhë të anti-korrupsionit, e sheh sot veten në këmbë, të lodhur dhe totalisht të ridimensionuar në betejën e tij të humbur. Qeveria e tij i ka sot të gjithë ministrat më të rëndësishëm (i Jashtmi, i Drejtësisë, i Mbrojtjes), të dorëhequr ose të privuar nga imuniteti parlamentar, për shkak historish me sfond të pastër korruptiv. Në këto kushte, Berisha mund të “blejë” disa ditë qetësi, duke luajtur me opozitën me anë të kartës së reformës kushtetuese, porse kjo nuk mjafton. Para tij ndodhet sot një vit i vështirë politik dhe elektoral. Nuk është e vështirë ta kuptosh këtë po t’i hedhësh një sy të shpejtë sondazhit të fundit që pasqyronte humoret gri të shqiptarëve për qeverinë e “duarve të pastra”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›