Kadiu, një orë mësim danci në Shkollën e Baletit
I ndodhur rastësisht në Tiranë, ose më saktë siç është shprehur vetë balerini Kledi Kadiu, për të takuar familjarët e tij, ai ka gjetur rastin dje, që të japë një orë mësimi në Shkollën e Baletit në Tiranë, ku dikur ka qenë një prej nxënësve të talentuar që punonin me mësuesit e tyre për një formim profesional dhe të ardhme më të mirë. Si gjithmonë, pak i kursyer me detajet, Kledi nuk tregon shumë por pohon se nuk ka ndërmend që të vazhdojë karrierën në fushën e kinematografisë, me filma të tjerë siç është përfolur. “Do të vazhdojmë me turin e shfaqjeve të baletit ‘Romeo dhe Zhulieta’ në Romë, pasi me filmat e kam mbyllur.” – është shprehur Kadiu për medien. Muajt e fundit balerini shqiptar i njohur në Itali ka vazhduar t’i gëzohet suksesit të “Romeo dhe Zhuljeta”. Shfaqja e Fabrizio Monteverdes ka bërë një xhiro të teatrove të ndryshme të Italisë dhe është pritur me mjaft interes. Edhe në të kaluarën, Kledi ka deklaruar se nuk do të merret më me kinematografinë, por do t’i përkushtohet ato kohë sa ia lejon mosha dhe fiziku, asaj që di të bëjë më mirë dhe që e ka për pasion, pra baletit profesionist. “Kam pasur tri eksperienca të bukura në kinema, tani do vazhdoj me baletin” ka thënë më parë balerini për Tgcom. Baleti “Romeo dhe Zhuljeta” është një format i ri i tragjedisë të njohur shekspiriane, që vjen si produksion i Operas së Romës. Është një balet klasik, muzikë klasike të sjella në një formë bashkëkohore. Romeo dhe Zhuljeta, dy personazhet e njohur për mbarë publikun botëror e kanë kthyer Kadiun në baletin klasik. I angazhuar më së shumti në baletin modern dhe i ftuar në spektakle të njohura italiane, ai e ka quajtur interpretimin në këtë pjesë si kthim në “dashurinë e parë”. Lidhur me këtë, Kadiu është shprehur: “Kur them që i kthehem ‘dashurisë së parë’, mendoj teatrin. Gjithçka që simbolizon ai dhe që është ndryshe nga një ekran televizioni. Pasi me baletin klasik unë nuk jam ndarë asnjë moment. Kam bërë një shkollë klasike, vazhdoj të studioj ende edhe pse prej një kohe të gjatë unë ushtroj dhe kam një akademi të dancit modern. Muskujt, formimi im fizik janë ato të një balerini klasik, kështu që për mua nuk përbën asnjë problem kthimi në një skenë teatri. Madje koreografi ka bërë një riadaptim të rolit, për t’iu përshtatur aftësive dhe formimit, pasi dihet që çdo balerin ka karakteristikat e veta, të veçanta”.
9 Maj 2008