Xhepa e Petrovci “zbulojnë” sekretet e çmendurisë shqiptare
Aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare Ndriçim Xhepa, shfaqet në ekranin e “Kinema Millenium II” në Tiranë për të treguar mbi çmendurinë shqiptare. Xhepa është i shoqëruar nga një staf aktorësh të talentuar, kryesisht të rinj, me përjashtim të kosovarit Enver Petrovci. Mund të përmendim këtu Neritan Liçaj, Eftiola Laçka, Ermela Teli, etj. Filmi i regjisorit Spartak Pecani titullohet “Sekretet”. Ai bën fjalë për çmendurinë e një kombi, që nuk ishte i aftë për 50 vite me radhë, për të shprehur dhe gjetur vetveten. Ngjarjet zhvillohen në një spital psikiatrik. Një komb i goditur psikologjikisht. Po cilat janë sekretet e çmëndurisë së tij? Cfarë ka ndodhur me kujtesën e këtij kombi? Cfarë ndodh në këtë spital psikiatrik? Pse leh personazhi kryesor? A do ta fitojnë identitetin e humbur dhe a do te jenë ndonjëherë vetvetja? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, publiku do t’i marrë nëpërmjet filmit artistik “Sekretet”, i cili ka nisur të shfaqet në “Millenium II”. Në fakt, sipas regjisorit Pecani, filmi ka si qëllim të hapë me modesti kutinë e sekreteve të një vendi, duke imagjinuar se çfarë drejtimi mund të marrë gjenerata e ardhshme, duke propozuar nëse jo një zgjidhje, të paktën një lidhje me botën, një vigjilencë dhe përshtatshmërinë e domosdoshme të vetvetes”. Filmi është njëherësh alegorik por edhe dramë psikologjike.
9 Maj 2008