E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj grave, shifra gjithnjë në rritje

Statistikat

Denoncimet e grave të dhunuara në Durrës kanë ardhur gjithnjë e në rritje. Nga viti në vit, ndërgjegjësimi i shoqërisë civile ka dhënë frytet e veta, duke regjistruar shtim të rasteve të grave që thyejnë heshtjen dhe i drejtohen policisë për të kërkuar ndihmë. Janë gra të qytetit dhe fshatit. I bashkon i njëjti fat, të qenët viktima të një dhune që ngelet e mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Dhe ato kanë vendosur ta refuzojnë atë, ndonëse denoncimet jo gjithnjë sjellin shmangien e saj. Për “Shqip”, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Ornela Cako, thotë se gjatë kësaj periudhe 40-ditore të vitit janë regjistruar 12 raste të grave që kanë denoncuar dhunën bashkëshortore. 11 prej tyre të dhunuara nga bashkëshorti dhe në një rast ka qenë vjehrri që dhunonte nusen e djalit. Vitin e kaluar, numri i grave të dhunuara që kërkuan ndihmë në polici e gjykatë ishte 130, ndërsa në vitin 2008 qenë 94 raste. Dhuna familjare është një problem i mprehtë social, që kërkon vëmendjen e të gjithëve, veçanërisht për rastet ekstreme, kur jeta e viktimave, e ardhmja e tyre, mbeten në duart e një shoqërie dyert e së cilës veç deklarohen të hapura, po realisht të përplasen në fytyrë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›