I mbijetuari i atentatit, në hasmëri, blindohet spitali

Policia duke marrë në pyetje personat që tentojnë të futen në spital
Policia e Durrësit blindon spitalin e këtij qyteti ku ndodhen ende të shtruar dy prej të mbijetuarve të atentatit të ndodhur tri net më parë, në vendin e quajtur 4 Rrugët në Shijak. sdafdsAltin Avdyli dhe Altin Brahimi janë vënë në regjim të rreptë mjëkësor nga kirurgët e Spitalit të Durrësit. Ata po mbahen në repartin Ortopedik të mbikëqyrur në çdo moment. Ndërsa askush nuk lejohet ti vizitojë, veç familjarëve. Altin Brahimi ka pësuar fraktura në fytyrë, në të dyja këmbët dhe dëmtimin më të rëndë, sipas kirurgëve, e ka pësuar në shtyllën kurrizore. Ndërsa i plagosuri tjetër, Altin Avdyli, i cili ka qenë edhe drejtuesi i automjetit, fuoristradë tip Benz ML me targa AA 542 KX, ngjyrë gri metalizato, ka marrë tre plumba në trup. Gjatë momentit kur është spostuar makina nga të shtënat, ai ka pësuar dëmtime edhe në fytyrë e këmbë. Për familjarët e të rinjve, të cilët qëndrojnë pa u larguar në korridoret e spitalit, është fat që ata janë ende gjallë. Babai i njërit prej të plagosurve, i cili nuk pranoi që të identifikohet për shkak të një hasmërie që familja e tij ka që vite më parë, rrëfeu momentin kur mësoi atentatin nga televizori.
Sipas tij, i biri kthehej çdo natë në të njëjtin orar, pasi punonte në një biznes privat në plazhin e Durrësit. Ka qenë ora 23:30, kur dëgjova ulërimat e vajzës. Kishte parë në televizor atentatin që i ishte bërë të vëllait. Nuk dinim çtë mendonim, dyshuam se ngjarja kishte të bënte me një hasmëri të vjetër që ne kemi…, u shpreh i moshuari. Pikërisht për këtë shkak, mësohet se Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje të plagosurit, për të shmangur ndonjë incident tjetër në ambientet e spitalit, Njëkohësisht, blutë e Durrësit kanë marrë në mbrojtje edhe familjet e të plagosurve si dhe familjen e autorit, për të evituar ndonjë hakmarrje të mundshme pas vrasjes së dy kunetërve 35-vjeçari Mariglen Abdullai dhe 37-vjeçari Blerim Kërtalli. Pas krimit të rëndë, Policia e Durrësit arrestoi 25-vjeçarin Emiliano Tema. Ai pranoi autorësinë, teksa rrëfeu se kishte ngatërruar objektiv, për shkak të ngjashmërisë së mjeteve.
Shoferi, pronar i një hoteli në plazh
Njëri nga të plagosurit nga atentati që ndodhi në Shijak, Altin Avdyli, 34 vjeç, mësohet se është pronar i një hoteli në zonën e plazhit. Ai po kthehej nga Durrësi bashkë me tre miqtë e tij, por teksa drejtonte mjetin fuoristradë, që u bë edhe sebep i kësaj masakre, për shkak të ngjashmërisë me makinën e personave të shenjëstruar, ai u gjend në breshërinë e armës automatike. Me tre plumba në bark arriti ti mbijetojë atentatit. Ndërsa mjekët thonë se është jashtë rrezikut.
VIKTIMAT
Dje iu dha lamtumira e fundit viktimave të masakrës së ndodhur në Shijak. 35- vjeçari Mariglen Abdullai nga Lushnja dhe 37-vjeçari Blerim Kërtalli u përcollën me dhimbje nga familjarët e të afërmit, por edhe qindra qytetarë të tjerë, të cilët iu bashkuan dhimbjes. Ata humbën jetën në mënyrë tragjike, pasi autori i krimit gaboi duke i ekzekutuar në vend të dy miqve të tij, me të cilët kishte bërë sherr disa minuta para se të organizonte krimin e rëndë. Policia e Durrësit konfirmoi një ditë pas ngjarjes që asnjëri nga viktimat nuk rezultonte me precedentë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ