E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, i vihet eksploziv banesës së emigrantit

Banesa e dëmtuar nga shpërthimi

LEZHE- Eksploziv banesës së emigrantit, shpëtojnë pa u lënduar tre gratë e shtëpisë. Policia e Lezhës bëri të ditur se një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive është vendosur në një banesë në fshatin Barbullojë të këtij rrethi. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:10, kur persona të paidentifikuar kishin vendosur lëndën plasëse në afërsi të derës anësorë të kuzhinës në banesën e shtetasit Gjovalin Frroku. Policia bëri të ditur se në shtëpinë e Frrokut janë ndodhur nëna e tij 90-vjeçare si dhe dy kunatat e tij, të cilat kishin shkuar të flinin tek e moshuara. Fatmirësisht, veç panikut, gratë nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa dëmet materiale janë të shumta. Rreth orës 04:10, në fshatin Barbullojë e Vjetër, të komunës Kolsh, në banesën e shtetasit Gj. Frroku, rreth 50 vjeç, në afërsi të derës anësore të aneksit të kuzhinës, nga persona ende të paidentifikuar është vendosur një sasi lënde eksplozive, lloji i të cilës është ende e papërcaktuar, e cila ka shpërthyer duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nuk ka dëme në njerëz, bëri të ditur Policia e Lezhës. Sipas familjarëve ku ndodhi shpërthimi, Gjovalin Frroku ishte larguar një javë më parë për në Greqi, pasi ai ka dhjetë vite që punon si emigrantë në këtë shtet helen. Ai kishte rreth një muaj e gjysmë që kishte ardhur në Shqipëri. Një muaj më parë i kishin vjedhur edhe makinën e tij, të cilën e kishte lënë në oborrin e shtëpisë. Ndërsa një javë më parë, së bashku me dy fëmijët dhe bashkëshorten ai ishte larguar për në Greqi. Familjarët shprehen se nuk kanë pasur asnjë grindje apo probleme që mund të dyshojnë tek ndonjë autor i mundshëm, i cili mund të ketë kryer këtë veprim.                 r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›