E Diel, 1 Nëntor 2026

I mbijetuari i fundit, një fëmijë 9-vjeçar, plagosen pesë policë

Operacioni i kërkim-shpëtimit të banorëve në zonën e shpërthimit ka sjellë edhe plagosjen e pesë policëve. Ata kanë marrë plagë të lehta, megjithatë kanë treguar një trimëri për të ndihmuar sa më shumë njerëz në zonën e shpërthimit masiv që ndodhi në Gërdec të Vorës. Sipas të dhënave nga grupi i emergjencës, plagosja e policëve ka ndodhur gjatë dy ditëve të operacionit, nga shkëndijat dhe predhat, të cilat nuk kanë ndaluar për asnjë moment. Megjithatë, ndërhyrja e policisë ka bërë të mundur që brenda 24 orëve të nxjerrë nga zona e fatkeqësisë, ashtu siç e quajti edhe qeveria shqiptare, të mbijetuarin e fundit. Ai është një fëmijë vetëm 9 vjeç, i cili është nxjerrë nga forcat e RENEA-s, që kanë evakuuar plot pesë persona të mbijetuar. Personat e evakuuar janë katër meshkuj dhe një femër. Ata janë gjetur rreth kodrinave të fshatit Gërdec. Gjithashtu, trupat e Xhenios kanë hyrë në zonën e shpërthimit dhe kanë spastruar zonën. Aty janë gjetur 4 trupa të pajetë, 3 meshkuj dhe një femër. Ndër këto trupa të pajetë ndodhej edhe polici privat. Aktualisht është thelluar puna në identifikimin dhe në gjetjen e trupave. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes u kanë kërkuar banorëve të mos shkelin në zonë, pasi ka ende predha të paplasura dhe janë të rrezikshme. Në lidhje me këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit siguron qytetarët në Vorë dhe banorët e zonave rreth saj se nuk ka më rrezik për shpërthime masive. Policia e Shtetit njoftoi se shpërthimet në këtë zonë do të jenë vetëm sporadike dhe të nxitura nga ekspertët e xhenios, pasi edhe flakët tashmë janë shuar. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përgënjeshtruar të gjitha informacionet e dhëna për shpërthime masive në këtë zonë gjatë ditës së djeshme, pasi ka pasur vetëm një të tillë dhe ai ka qenë i një niveli shumë të vogël. "Zona e shpërthimit është vizituar nga drejtues të lartë të qeverisë shqiptare, si dhe rreth 1 mijë punonjës të tjerë që punojnë për çmontimin e predhave. Policia e Shtetit, në këtë rast fatkeqësie kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe mediave që të mos nxitohen në informacionet që japin", deklaroi zëdhënësi, Klodian Branko. Gjithashtu, policia i ftoi të gjithë qytetarët se në dispozicion të tyre nga Policia e Shtetit janë vënë dy numra telefoni pa pagesë 126 dhe 129. Madje, nga të dhënat gjatë ditës së djeshme ka pasur një sërë telefonatash, kryesisht nga banorët e zonës, të cilët kërkonin të afërmit e tyre. Policia sqaroi se ata ishin larguar në zona të ndryshme dhe aktualisht po punohet për bashkimin e tyre me familjet që i kërkojnë. Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vënë në shërbim të strehimit të banorëve një sërë objektesh.

Të vdekurit

Jetmir Pasholli, 19 vjeç

Muhamet Hoxha, 59 vjeç

Rajmonda Durda, 40 vjeçe

Besim Canga, 57 vjeç

Hysen Cani, 52 vjeç,

Liljana Deliu, 23 vjeçe

Roland Alla, 21 vjeç

Jetmir Deliu, 21 vjeç

Reshit Kruja, 47 vjeç

Resmije Krajna, 19 vjeçe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›