E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftova vdekjen nga varfëria për ta gjetur në fabrikën e armëve

Pavarësisht se tragjedia e rëndë ka ndodhur në mesditën e së shtunës, edhe mesditën e djeshme, të mbijetuarit ndiheshin ende të frikësuar, të traumatizuar, me probleme dhe... Ashtu ndihet edhe Lindita Zylfo, e cila me tre kushërinj të saj punonte në fabrikën e çmontimit të municioneve, pavarësisht se para se ta fitonte këtë punë nuk kishte prekur armë ndonjëherë. Tashmë, veç tmerrit që ka përjetuar, edhe banesa i është shkatërruar, por ajo nuk guxon më të shkelë në atë fabrikë. Do kërkoj bukë rrugëve, por nuk mund të hyj më në atë punë. Në një intervistë, ajo ka dhënë dëshminë tronditëse sesi ka ndodhur ngjarja dhe si e pa shkëndijën e parë të flakëve në fabrikën e tragjedisë. Ajo rrëfen se në fabrikë punonin gra e fëmijë të patrajnuar.

Ku ndodheshit në momentin e shpërthimit?

Unë punoja në sektorin e larjes së gëzhojave, që fillimisht i lanim me naftë dhe më pas me ujë të ftohtë. Ky sektor ndodhej afër daljes kryesore të magazinës. Edhe dje (të premten) dola në punë dhe fillova larjen e gëzhojave të predhave. Baruti ishte i gjithi nëpër këmbë. Në atë kohë, pamë flakët që erdhën nga një karrocë dhe më pas u shpërndamë me shpejtësi në të gjithë fabrikën.

Nga se u shkaktuan flakët e para?

Me sa mbaj mend u dha një shkëndijë nga karroca metalike. Këto përdoren për transportimin e barutit nga një vend në tjetrin. Siç kujtoj, u dha një shkëndijë në rrotën e karrocës dhe baruti filloi të digjej gjithandej. Shumë shpejt, flakët arritën në grumbullin e madh të barutit, që ishte vetëm dy metra larg meje.

Çfarë bëtë në ato çaste?

Aty kam vrapuar me shpejtësi dhe kam tentuar të dal jashtë. Nga nxitimi jam rrëzuar dhe më kanë shtypur me këmbë disa njerëz, ndërkohë që ndieja zjarrin në kurriz. Kam hequr rrobat, ndërkohë që jashtë kisha rrobat e tjera, pasi ato veshur i përdorja në punë. Kam marrë rrobat në dorë dhe kam vrapuar, derisa ka ndodhur shpërthimi i parë, që më ka hedhur tutje. Një rrymë e nxehtë na ka përshkuar të gjithëve, ndërkohë që kemi vrapuar nëpër pyll, zbathur për të hyrë në ndonjë vend të sigurt. Në atë kohë ka ardhur shpërthimi i dytë, ku pemët u rrafshuan, zjarri ra kudo dhe nuk dinim nga të shkonim. Këmbët na digjnin nga nxehtësia, e pemët binin përtokë, duke na rrezikuar, por nga tmerri kemi duruar dhe kemi hyrë në një bunker.

Sa qëndruat në bunker?

Aty kemi qëndruar për disa orë, derisa jemi ndjerë më të sigurt, ku kemi dalë dhe jemi nisur për në banesë, por prapë plumbat na vinin nga pas.

A e mbani mend sa vetë punonin aty?

Nuk e di sa vetë kemi qenë atë ditë, por mbaj mend se ishin shumë gra dhe pak burra.

Po fëmijë kishte?

Po. Fëmijët vinin shpesh aty, punonin me ne. Ne punonim me normë ditore dhe brenda disa orëve na duhej të plotësonim planin e punës. Kështu që shpeshherë vinin dhe na ndihmonin edhe njerëzit tanë, e disa gra merrnin edhe fëmijët.

Drejtuesit e fabrikës ishin në dijeni për fëmijët?

Sigurisht. Por ata nuk rrinin shumë aty. Vinin e na kontrollonin, na thoshin të kishim kujdes dhe më pas largoheshin.

Sa kohë keni që punoni në këtë fabrikë?

Kam punuar para disa kohësh, deri në verë, rreth gjashtë muaj. Për pak kohë u mbyllën punimet, që filluan sërish para një muaji. Fillova sërish punë, se kisha nevojë për para që të mbaja familjen. Ashtu si unë kishin filluar të gjithë dhe e dinim se po përballeshim me vdekjen. Por, edhe varfëria ishte si vdekja për ne. Tashmë nuk do të shkoj kurrë të punoj më në atë vend.

A jeni trajnuar nga stafi i fabrikës para se të pranoheshit në këtë punë?

Ditën e parë që kemi kërkuar punë na kanë treguar se çfarë do të bënim dhe më pas nuk na ka trajnuar njeri. Unë nuk kisha prekur kurrë armë me dorë, por u detyrova ta bëj këtë për të mbijetuar. Por, kjo solli vetëm vdekje dhe shkatërrim.

E mbijetuara rrëfen momentin e shpërthimit të fuqishëm të municioneve

"E pashë shoqen kur u

rrëzua në kazanin e naftës"

Në momentin e ndezjes së barutit, të gjithë u sulën drejt daljes kryesore dhe njerëzit shtypnin me këmbë njëri-tjetrin për të mbijetuar. Të gjithë i kishte zënë paniku, e kush rrëzohej ngelte brenda fabrikës. Kështu i ndodhi edhe një shoqes sime, e cila ra në kazanin e naftës, ku lanim gëzhojat. Nuk e di çfarë ka ndodhur me të. Këto janë fjalët rrëqethëse të Thëllënza Gjokës, e cila është një nga të mbijetuarat e tragjedisë së dy ditëve më parë, që u shkaktua nga shpërthimi i fuqishëm i municioneve në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë. Ajo rrëfen se punonte në sektorin e çmontimit të municioneve dhe pranë tyre ndodhej grumbulli i madh me barut, i cili transportohej me karroca metalike. "Kur kemi parë se mori flakë baruti, të gjithë u sulëm jashtë, duke tentuar të largoheshim sa më shumë. Në atë kohë kam parë njërën nga punonjëset, e cila u rrëzua në kazanin e naftës dhe flaka kaloi sipër saj. Nuk e di se kush ishte, pasi dëgjova vetëm zërin e saj që bërtiste. Aty u rrëzova dhe nuk e di si jam ngritur sërish, pasi njerëzit më kalonin sipër, ndërkohë që flakët na ndiqnin nga pas", rrëfen Gjoka. Ajo shpjegon se kur ka dalë jashtë, pasi janë larguar disa metra, ka ardhur shpërthimi i dytë, që i ka hedhur disa metra larg. "Nuk kishin kaluar as dhjetë minuta kur erdhi shpërthimi i madh, që na hodhi në ajër disa metra larg. U rrëzuam dhe vrapuam mes pyllit, duke u munduar të fshiheshim. Kemi gjetur një bunker dhe siç ishim grup u futëm brenda. Bunkeri tundej nga shpërthimet e njëpasnjëshme që vinin, ndërkohë që ishim tmerruar", është shprehur e mbijetuara, e cila shpeshherë shikon e habitur, pasi ende nuk e kupton se si ka arritur të mbijetojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›