E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatiten për grevë

Sindikalistët e Postë-Telekomit të Kosovës kanë mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilin kanë marrë vendim për formimin e këshillave grevistë. Ata paralajmërojnë greva, në rast se nuk shfuqizohet vendimi i marrë në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, për shitjen e PTK’së. Nga Albulena Maloku më 03 prill 2011 në ora 08:47

Sindikata e Pavarur e Postë-Telekomit të Kosovës paralajmëron futjen e punëtorëve në greva. Ata vazhdojnë të kundërshtojnë miratimin e buxhetit bashkë me shitjen e kësaj ndërmarrjeje publike. Udhëheqësit e sindikatës kanë thënë se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimeve të marra në seancën e fundit të Kuvendit.

Privatizimi i PTK-së është futur në kuadër të Ligjit për buxhet, i cili është miratuar të enjten. Sindikalistët i kanë dërguar një letër U. D. të Presidentit, Jakup Krasniqi, me kërkesën për mosshpalljen e Ligjit për buxhetin 2011 dhe kthimin e tij në Kuvend. Ata kërkojnë heqjen e nenit, të cilin e konsiderojnë joligjor dhe kundërkushtetues.
Kryetari i kësaj sindikate, Milazim Alshiqi ka thënë për Express se të premten kanë mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilën është marrë vendim për formimin e këshillave grevistë. “Formimi i këshillave grevistë është bërë për të koordinuar punët e sindikalistëve, të cilët po kundërshtojnë miratimin e buxhetit bashkë me shitjen e PTK’së. Po ashtu, kemi formuar edhe këshillin e përgjithshëm, i cili do t’i koordinojë punët me këshillat e tjerë nëpër komuna”, ka thënë Alshiqi.

Ai konsideron se është bërë shkelje e Ligjit për ndërmarrjet publike dhe nëse nuk merret vendimi për heqjen e nenit që përfshin shitjen e PTK’së, atëherë do të vazhdojnë me protesta dhe greva gjatë ditëve të ardhshme.

Në letrën të cilën sindikata ia ka dërguar Krasniqit, thuhet se Neni 4 i Ligjit të buxhetit është në kundërshtim me Nenin 9 të Ligjit për ndërmarrjet publike, me ç’rast i njëjti përcakton që për shitjen e aseteve publike në Kosovë duhet vendim i veçantë nga Kuvendi i Kosovës.

“Mbështetur në të, ju si U.D i Presidentit të Kosovës keni kompetencën, përgjegjësinë dhe mandatin që në përputhje me Nenin 80, paragrafi 3, ta ktheni prapë në Kuvend Ligjin për aprovimin e buxhetit për vitin 2011, sepse Neni 4 i këtij ligji është në kundërshtim me Nenin 9 të Ligjit themelor për ndërmarrjet publike. Presim një konfirmim nga ana juaj”, thuhet në letrën e Milazim Alshiqit, kryetar i SP të PTK’së.
Duke kundërshtuar shitjen e PTK’së, sindikalistët kanë protestuar të enjten. Protesta eskaloi në dhunë, pasi ata provuan me dhunë të hyjnë brenda në Kuvend. Një delegacion i Sindikatës po atë ditë zhvilluan një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, por takimi nuk rezultoi me asnjë rezultat konkret.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›