E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mbush 80 vjet

Më 20 shtator u mbushën 80 vjet nga shkrepja e fotografisë më domethënëse në të gjitha kohërat të qytetit të Nju Jorkut. Fotoja e titulluar “Drekë në majë të rrokaqiellit” u realizua mbi 240 metra mbi tokë gjatë ndërtimit të qendrës “Rockfeller” në shtator të vitit 1932.

Ajo foto vijon të krijojë frikë mes njerëzve që vuajnë nga lartësia sa herë që e shohin dhe është ikonë e imazhit të Amerikës në periudhën e industrializimit. Punëtorët e ndërtimit paraqiten gjatë një pushimi dreke, plotësisht moskokëçarës për lartësinë ku gjendeshin dhe rrezikun e rrëzimit.

Kjo fotografi ruhet sot si pjesë e një koleksioni me mbi 13 milionë foto historike nën pronësinë e kompanisë “Corbis”, kompani e themeluar nga Bill Gates i Microsoft më 1989. Bashkëbisedimi mes punëtorëve dhe pamja e tyre e çlirët ilustron sjelljen pa frikë ndaj lartësisë, gjë që i ka shtyrë disa të ngrenë pyetjen nëse ajo është një foto autentike e një realiteti të kapur me aparat fotografik apo është një manipulim.

Drejtori i fotografisë historike te “Corbis”, kompania që ka edhe të drejtat e autorit të saj, Ken Johnston, thotë se fotografia është e vërtetë, jo fotomontazh. Por sipas mendimit të tij, ajo ka shumë gjasa të jetë inskenuar për fotografët e agjencive të lajmeve si një “celebrim për faktin që qendra ‘Rockfeller’ po ndërtohej.”

Mënyra se si fotografia kap karakterin e fortë të punëtorëve dhe absurditeti i të ngrënit drekë kaq lart nga toka kanë ndihmuar popullaritetin e saj, thotë Johnston. Në kohën kur u realizua, fotoja dha edhe një imazh pozitiv të Amerikës që po vuante nga kriza e rëndë ekonomike.

“Kur u realizua fotoja, Depresioni i Madh qe në vitin e dytë’, thotë Johnston. “Fotoja më e zakonshme e kohës ishte ajo e radhës së gjatë të burrave që po prisnin të merrnin një copë bukë dhe një pjatë supë falas në qendrat e bamirësisë”. Përkundër këtij imazhi të realitetit të ashpër të krizës, jepet kjo foto, ku njerëzit tregohet se po punojnë dhe po hanë drekën që meritojnë.

Mesazhi i fotos është që në epokën e jashtëzakonshme të rrokaqiejve “punëtori i Amerikës së viteve ’30 vijon të ecë përpara dhe të ndërtojë.”

Johnston verifikoi autenticitetin e imazhit për një dokumentar mbi fotografinë të quajtur “Burrat gjatë drekës,” dokumentar që u prezantua në Festivalin e Filmit të Torontos. Kërkimi për dokumentarin zbuloi edhe disa fakte të panjohura për foton. Emrat e dy prej njerëzve të fotografuar u zbuluan krahas faktit që fotoja u shkrep më 20 shtator 1932 dhe jo më 28 shtator, siç besohej më parë.

Megjithëse punëtorët në lartësi mund të kenë ekspozuar për fotografin, Johnston thotë se nuk ka dyshim që ata qenë punëtorë realë dhe se qenë me të vërtetë aq të qetë dhe moskokëçarës ndaj lartësisë e se mund t’u vinte edhe natyrale të hanin drekë e të kryenin punë pa rripa sigurie. Kjo mungesë frike vijon edhe sot e mund të fotografohet në raste ndërtimi rrokaqiejsh, si ajo e Qendrës Botërore të Tregtisë.

“Këto burra e bëjnë me të vërtetë diçka të tillë”, thotë Johnston. “Ata bredhin pa teklif në lartësi”, shton ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›