Kur ushtarët çmenden

Javën e kaluar, përderisa zyrtarët amerikanë po përpiqeshin që të përmirësonin marrëdhëniet diplomatike me Afganistanin, pas vrasjes së tmerrshme të 16 civilëve afganë nga ana e një ushtari amerikan, menjëherë filloi të qarkullojë pyetja se pse ndodhi kjo masakër.
“Ai thjesht u çmend”, deklaroi një zyrtarë i lartë amerikanë, duke vazhduar se “pasi të sqarohen gjërat, do të zbulohet se ka qenë ky një kombinim i stresit, alkoolit dhe çështjeve të brendshme”.
Duket ky një shpjegim i pamjaftueshëm për këtë vepër shokuese dhe të pakuptimtë. Ushtari, baba i dy fëmijëve, thuhet se gjatë çmendurisë së tij ka vënë në shënjestër gra dhe fëmijë dhe pasi i ka vrarë, i ka djegur kufomat e tyre.
Por për disa, përfshirë këtu edhe familjen e ushtarit të dyshuar, ky shpjegim jo që ishte jo-adekuat, por ishte jokorrekt. “Një gjë e di, ai nuk ka pasur probleme në martesë. Ka qenë kjo një martesë tejet e fuqishme dhe vërtetë jemi duke e fyer”, deklaroi avokati i ushtarit të dyshuar, John Henry Browne.
Pas publikimit të identitetit të ushtarit, Robert Bales 38 vjeç, në sipërfaqe filloi të del një pamje më e plotë. Bales dhe bashkëshortja e tij, Karilyn, duket se janë përballur me probleme financiare. Ata kishin vënë në shitje shtëpinë e tyre një ditë pas sulmit, me një çmim prej 50 mijë dollarë më të ulët se çmimi real i shtëpisë. Në anën tjetër, Karilyn kishte theksuar se ishte dëshpëruar kur burri i saj u dërgua në Afganistan, pasi që ishte plagosur dy herë në Irak.
Pra ajo që ka dal në sipërfaqe deri me tani, është se bëhet fjalë për një familje e cila lëngon nga ai lloj i stresit, i cili është tipik për familjet moderne ushtarake.
Stacionimet e vazhdueshme janë ngarkesë jo vetëm për ushtarët, por edhe për familjet e tyre, thotë Keli Lovman, bashkëshorti i së cilës ka shërbyer dy herë në Afganistan dhe është plagosur gjatë shërbimit në Irak.
Duke pasur parasysh problemet financiare dhe ndarjet e gjata dhe të vështira, nuk befason fakti se niveli i shkurorëzimeve në radhët e ushtarakëve vitin e kaluar ishte më i larti që nga viti 1999.
Ajo që është më brengosëse, dhuna familjare ka shënuar një rritje prej 30 për qind në krahasim me vitin 2006, ndërsa niveli i abuzimit të alkoolit gjithashtu ka arritur një pikë rekorde.
Gjithashtu, shkalla e vetëvrasjeve në mesin e ushtarëve aktivë sot është më e lartë, se sa ajo në mesin e civilëve dhe vitin e kaluar gjithashtu arriti një nivel rekord.
Në vitin 2010, Lovman u kontaktua nga një femër, e cila kishte kuptuar se bashkëshorti i saj kishte mbetur prapa në pagesën e kredisë dhe se për këtë arsye shtëpia e tyre do të konfiskohej. Ajo i telefonoi atij në Irak, për ta konfrontuar dhe ai bëri vetëvrasje, duke shpresuar se paratë e sigurimit të tij jetësor do t’i mundësojnë familjes që të shpëtojë shtëpinë.
Këto specifika-problemet financiare, tendosjet martesore-janë të ngjashme me specifikat, të cilat u përmenden si arsye që e shtynë Bales të bëjë atë që ka bërë në Afganistan.
“Si ka mundur ajo të di se ky do të ishte rezultati i fjalëve ‘Ne kemi probleme financiare’”, thotë Lovman për bashkëshorten e Balesit. “Si po e ndien ajo tani vetën, pasi që vëmendja e tërë botës është përqendruar te ajo?”
Ajo ka dy fëmijë, 3 dhe 4 vjet, të cilët duhet t’i mbrojë. Është gjithmonë sfiduese që të gjesh dikë, për të fajësuar për tragjedi të këtilla, por pyetja se a është stresi martesor, apo stresi i luftës ai, që shtyn ushtarët që të kalojnë vijën, mbetet gjithmonë pa përgjigje.