I mituri: Trupi i imët më ndihmon të realizoj vjedhjet
• TIRANE - Trupi i imët ishte suksesi i një të mituri për të kryer vjedhje spektakolare nëpër marketet e Tiranës.Inicialet e tij janë L.Sh., është vetëm 17 vjeç dhe nuk e kalon gjatësinë 145 centimetër. Pikërisht ky fakt, që për shumë bashkëmoshatarë të tij konsiderohet si e metë e ka ndihmuar atë të vidhte pa rënë në sy. Dje i mituri ndodhej në gjykatë në procesin ku ai akuzohet të ketë vjedhur më 28 gusht të këtij viti, nëpërmjet “marifeteve” të tij katër mijë lekë të reja në një market në rrugën “Shyqyri Ishmi”. Para gjyqtarit të çështjes, në prani të psikologes dhe avokatit të tij, i mituri pranoi se vjedhjen e kishte kryer në bashkëpunim me 33-vjeçarin Afrim Toska, i cili i kishte kërkuar shitëses t’i tregonte një adresë. Ndërsa kjo kishte dalë jashtë dyqanit dhe po i tregonte Toskës rrugën që të çonte në adresën e kërkuar i mituri ka hyrë në dyqan fshehtas dhe ka marrë të gjithë paratë që ndodheshin në arkë. Duke qenë trupvogël ai nuk është vënë re nga shitësja ndërsa ka dalë, por kur i është afruar ndihmësit të tij 33-vjeçar dhe i ka dhënë “prenë”, ajo i ka telefonuar policisë. Vetë i mituri, i cili u hetua dhe po gjykohet në masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, e pranoi këtë akuzë, kurse 33-vjeçari me precedentë të mëparshëm penalë e mohoi atë, ndërsa të dy i kërkuan gjykatës aplikimin e gjykimit të shkurtuar në procesin në ngarkim të tyre. Seancën tjetër pritet që palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare dhe gjykata vendimin. fa.ma.