E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kur Mehmeti jepte shpirt në shtrat, Kadriu ngrinte dolli në Laprakë”

• Në çastet kur, Mehmet Shehu jepte shpirt në vilën qeveritare, Kadri Hazbiu ngrinte dolli e këndonte labçe në shtëpinë e shefit të kabinetit të tij në Laprakë!afrim imajNë vijim, procesi ndaj krerëve të Sigurimit të Shtetit, shpalos të tjera dëshmi përballë atyre të Fiqrete Shehut dhe shoferit personal të Kadriut, të cilët kanë pohuar për një takim të fshehtë në shtëpinë e kryeministrit pas mbledhjes së bujshme të Byrosë Politike dhe pak çaste para vetëvrasjes së Mehmetit. “Kadri Hazbiu mbrëmjen e 17 dhjetorit, ka qenë në shtëpinë time në Laprakë, i ftuar në 35 vjetorin e datëlindjes”. Njeriu që zbardh këtë fakt quhet Ismet Isufi, ish-shefi i Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, i cili e ka përjetuar si një nder jo i zakonshëm, praninë e shefit të tij në këtë festë familjare, që ka filluar në orën tetë të mbrëmjes dhe është mbyllur diku pas mesnate. Në rrëfimin e Isufit, riprodhohet me detaje kronika e asaj feste të veçantë, ndërkohë që për të dhe mysafirët e banketit ka qenë e paditur lëvizja e Kadri Hazbiut para se të mbërrinte aty. I bindur për këtë, trupi gjykues këmbëngul të mësojë diçka tjetër, që mesa duket nuk ka të bëjë me vizitën e dyshimtë, po me një fakt disi të çuditshëm. Aranit Çela disa herë kërkon nga Ismet Isufi, po edhe nga dëshmitarët e tjerë për të mësuar nëse këndonte e ngrinte dolli Kadri Hazbiu atë mbrëmje tragjike për ish-kryeministrin. Mbetet kështu, për një çast në periferi të procesit, vërtetimi i vizitës misterioze në vilën e Mehmetit natën e vetëvrasjes, për t’u befasuar nga gjendja shpirtërore e Kadriut, i cili e kishte marrë vesh çfarë kishte ndodhur me kryeministrin dhe vazhdonte të ngrinte dolli e të këndonte deri pas mesnate.ARIANIT ÇELA: U kemi thirrur për çështjen e darkës që është bërë më 17 dhjetor te Ismet Isufi. Të na thuash lidhur me këtë se në çkohë ka ardhur Kadri Hazbiu atje, kaq...VELI LLAKA: Në datën 17 dhjetor oficer Ismet Isufi kishte përvjetorin e ditëlindjes. Përveç tre katër shokëve të organizatës (së partisë) që kemi shkuar në këtë darkë, do të vinte dhe Kadri Hazbiu. E kemi pritur Kadri Hazbiun rreth orës 22 të mbrëmjes. Në orën 22 ka ardhur ai. Ka ardhur shumë i lodhur, i djersitur dhe shumë impulsiv. Sa ka ardhur ka kërkuar të falur se ka qenë në një mbledhje të Byrosë Politike prandaj edhe u vonua. Kemi qëndruar atje deri në orën 24:30 minuta ose rreth orës 01 të mbrëmjes dhe pas kësaj ore jemi larguar për në shtëpitë tona. Unë kam ikur së bashku me makinën e Kadri Hazbiut së bashku me një shoqe tjetër me atë Eli Kokushtën deri te shtëpia ime pastaj ai ka çuar më lart atë shoqen tjetër se kështu e kishim rrugën dhe me kaq u ndamë... ARANIT ÇELA: Mirë. Mund të largohesh Veli Llaka. Të vijë Ismet Isufi...ISMET ISUFI: Emri i babait Selim, i nënës Bedrie...ARANIT ÇELA: Datëlindja...ISMET ISUFI: Më 17 dhjetor 1946 në Golem të Gjirokastrës. ARANIT ÇELA: Je gjykuar ndonjëherë nga gjykatat gjë...ISMET ISUFI: Nuk jam gjykuar.ARANIT ÇELA: Të kemi thirrur si dëshmitar, të ka thirrur gjykata këtu, lidhur me çështjen që u përket të pandehurve Mihallaq Ziçishti, Xhavit Ismailaga, Ali Çeno, Llambi Peçini, Feçor Shehu, Kadri Hazbiu e Gani Kodra. I njeh këta ti...ISMET ISUFI: Disa i njoh...ARANIT ÇELA: Kadri Hazbiun e njeh?ISMET ISUFI: Po, e njoh.ARANIT ÇELA: E njeh. Feçor Shehun e njeh?ISMET ISUFI: Po.  ARANIT ÇELA: Ali Çenon e njeh?ISMET ISUFI: Po, e njoh. ARANIT ÇELA: Me këta që njeh ke ndonjë punë fisi e ku di unë mpleksje...ISMET ISUFI: Nuk kam me asnjërin.ARANIT ÇELA: Nuk ke. Po ndonjë konflikt gjë ke pasur...ISMET ISUFI: Jo, nuk kam pasur.ARANIT ÇELA: Nuk ke pasur. Gjykata të ka thirrur këtu dhe kërkon të flasësh të vërtetën mbi faktet që di, si dëshmitar. Në rast dëshmie të rreme ke përgjegjësi në bazë të nenit 202 të Kodit Penal. E ke të qartë?...ISMET ISUFI: Të qartë.ARANIT ÇELA: Të kemi thirrur ty rreth një fakti, rreth darkës që është bërë në shtëpinë tënde, rreth orës që ka ardhur Kadri Hazbiu në shtëpi...ISMET ISUFI: Në shtëpinë time me rastin e datëlindjes, kisha 35-vjetorin më 17 dhjetor të vitit 1981, erdhën shokët Diftir Hysi, Veli Llaka, Eli Kokushta, Çerçiz Xhelo etj. Edhe kishin biseduar më përpara me telefon me armikun Kadri Hazbiu dhe i kishin thënë, nëse do të vish në datëlindjen që ka Ismeti. Ai kishte thënë, që ju ikni unë mund të vij, mund të mos vij, po karrigen time lëreni bosh. Ne, rreth orës 8:00 filluam darkën në shtëpi. Pritëm nuk erdhi dhe filluam...ARANIT ÇELA: Çfarë bëtë ju që filluat?ISMET ISUFI: Filluam të këndonim, të hanim e të pinim, të gëzonim për datëlindjen. Kishte kaluar mbi një orë, më merr në telefon radisti Ymer Toçi dhe më thotë, që ne do të vijmë. Ne u gëzuam që do të vinte. Unë isha dhe i djersitur dhe dola përjashta për ta pritur. U vonua, domethënë nga koha që mori ai në telefon rreth një çerek ore, unë në fakt orën nuk e pashë se edhe kishim pirë, por kishte kaluar mbi një orë e ca. Domethënë armiku Kadri Hazbiu mund të ketë ardhur para orës 10 pa njëzet ose 10 pa çerek në këtë kohë. Erdhi më uroi për datëlindjen, filluam të pinim, kishim domethënë gëzim, por unë meqë kishim pirë shumë dola përjashta, por isha i djersirë dhe u sëmura. U shtriva në dhomën time edhe isha në gjendje, domethënë i dëgjoja muhabetet e të gjithëve, por nuk mund të qëndroja dot në tavolinë. Nga sa kam biseduar edhe me njerëzit e mi edhe duke analizuar nën dritën e fakteve që hedh sot partia më bën përshtypje domethënë edhe njerëzve të mi edhe të tjerëve fakti, që ky erdhi i lodhur atje në darkë dhe nuk kishte më atë karakterin e atij humori e muhabeti që ky bënte, që kishte aftësi ta bënte. Po mbajti qëndrim disi zyrtar e filloi të pinte e të këndonte, megjithëse unë në disa muhabete që kemi marrë kështu pjesë te shokët tanë ky ka thënë, që unë nuk e pi shumë rakinë sepse ma ndalojnë edhe mjekët dhe më bën dëm, por atë natë ka pirë mirë raki dhe ka kënduar dhe mendoj se ky këtë siklet që kishte, që kishte nga mbledhja e Byrosë Politike e nxirrte duke kënduar dhe duke pirë. Kaq kisha për këtë...ARANIT ÇELA: Kaq kishe. Kini ndonjë pyetje...GJYQTAR: Të nesërmen me shokët e tjerë e biseduat që erdhi mbrëmë, erdhi filani...ISMET ISUFI: Ditën tjetër unë nuk kam shkuar në punë, se isha i sëmurë.GJYQTAR: Po pas dy ditëve që erdhi rreth orës kaq...ISMET ISUFI: Jo, jo. Po të më lërë trupi gjykues për të thënë diçka që më ka bërë përshtypje edhe më vonë...ARANIT ÇELA: Thuaj...ISMET ISUFI: Mbas punimit të Tablosë Sinoptike kam vërejtur, se Kadri Hazbiu ishte i shqetësuar edhe në zyrë, ishte i tronditur dhe e gjenim shpesh që nuk mbante materiale përpara, nervozohej dhe për gjërat më të vogla dhe në zyrë rrinte shpesh pa materiale përpara, duke dredhur cigare dhe duke parë nga tavani. Një javë para se të bëhej mbledhja e Byrosë Politike i kishte kërkuar Elit një material që ky kishte mbajtur në radiotelevizion, në gusht të vitit 1981, lidhur me librin e shokut Enver “Kur lindi Partia”, dhe i thotë që të kujtohet, e ke atë materialin, çfarë kam folur unë për armikun Mehmet Shehu. Ajo i thotë që unë kam ruajtur një kopje. Edhe ajo i jep një kopje, e shikoi dy ose tre herë ai dhe e fshiu me stilokalem këtë. Edhe i tha: Po sikur të gjejmë origjinalin. Po mirë, i tha ajo, të interesohemi. E kërkon kjo shoqja në radiotelevizion, por ata shokët nuk ia japin. Ai i thotë disa herë, moj po si nuk ma gjete këtë material. Një ditë më lutet kjo Eli dhe më thotë, të lutem shumë më ndihmo se më kërkon ministri këtë material dhe mua ata shokët nuk ma japin më thotë. Çfarë e do këtë material, e pyeta. I ka ngelur mendja, tha, çfarë kam folur unë për armikun Mehmet Shehu, sepse unë nuk kam folur kaq sa kam shkruar këtu, por më duket se kam shtjelluar edhe diçka me gojë. Domethënë e hante meraku se çfarë kishte shprehur për armikun Mehmet Shehu. U interesuam në Radiotelevizion, po ata shokët nuk na e dhanë se thanë që ne i ruajmë po mund t’ju dërgojmë një fotokopje. Po më vonë u bë mbledhja dhe...ARANIT ÇELA: Nuk arriti. Mirë. I pandehur Mihallaq Ziçishti, ke ndonjë pyetje për dëshmitarin. Nuk ke. Ti Xhavit Ismailaga. Nuk ke. Ali Çeno ke. Jo. Llambi Peçini ke ndonjë pyetje. Nuk ke. Gani Kodra ke gjë. Nuk ke gjë. Feçor Shehu ke gjë. Jo. I pandehur Kadri Hazbiu ke ndonjë pyetje për këtë. Nuk ke. Mirë. Ismet Isufi mund të largohesh. Të thirret Llesh Rroku..."Datëlindja ime nuk ishte alibi e Kadriut. Atë 17 dhjetor mbusha 35 vjeç"Ka kaluar me hare si asnjëherë tjetër festën e datëlindjes, po qysh të nesërmen do të mallkonte veten për organizimin e saj. Krejt rastësisht, do t'i qëllonte Ismet Isufit, ish-shefit të Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, fati i keq që 35-vjetori i lindjes t'i përkonte me ditëvdekjen e ish-kryeministrit. Më shumë se rastësia me ngjarjen e bujshme, prania e Kadri Hazbiut në gostinë familjare, do ta bënte objekt dyshimi për organet e sigurimit, që ishin angazhuar për zbulimin e rrethanave në të cilat Mehmet Shehu ishte vetëvrarë. Në rrëfimin për gazetën "Panorama" pas 24 vitesh, Ismet Isufi kujton se është ndier ngushtë kur është shtrënguar për të shpjeguar çfarë fshihej pas kësaj feste të zakonshme. Sipas opsionit të policisë sekrete, vihej në dukje se ndihmësi i ministrit të Mbrojtjes nuk e kishte datëlindjen më 17 dhjetor, por e kishte sajuar i urdhëruar nga shefi i tij, për të fshehur gjurmët e vizitës misterioze që bwri pak çaste para se Mehmet Shehu të vetëvritej. Nw tw gjitha rastet, thotë   kur i është kërkuar e vërteta e kësaj alibie, u ka nxjerrë përpara letërnjoftimin në të cilën është fiksuar e zeza në të bardhë: 17 dhjetor 1946. "Më kanë pyetur për këtë festë të bekuar, shton ish-ndihmësi i Kadri Hazbiut, me dhjetëra e dhjetëra herë. Më është dashur ta riprodhoj atë në dhjetëra zyra. Si hetuesit, por veçanërisht, Hekuran Isai më kanë bërë pyetje të ndryshme: Si ishte nga humori Kadriu? A këndoi, ç'këngë këndoi? A këndoi për Partinë e për Enverin? Cilat ishin këngët, çfarë tha…, a u foli për mbledhjen, po për Mehmetin?..etj., e të tjera. Kadriu as që na përmendi fare gjë pwr mbledhjen, as për Enverin e Mehmetin. Ishte si zakonisht. Kemi kënduar me tw deri pas mesnate labçe.  Kishte dëshirë t'ia kthente dhe ia kthente." Për Ismet Isufin, Kadri Hazbiu atë natë ka qenë një mysafir i mirëseardhur. "Unë nuk mund ta dija atëherë, thotë ai, se këtë Hazbiu e bënte për të fshehur një vizitë tjetër, që kishte bërë para se të vinte në shtëpinë time, siç dyshohej për takimin e fshehtë me Mehmetin. Ka qenë krejt një rastësi. As më shkonte në mëndje se ajo datëlindje e zakonshme do të bëhej shkak i aq shumë andrallave që do të më kushtonin shumë net pa gjumë."neser do te lexoniDëshmia e Myftar Memisë: Kadri Hazbiun e Mihallaq Ziçishtin e kam informuar për tradhtinë e Bedri Spahiut dhe Tuk Jakovës, qysh në vitin '52.Misteri i raporteve sekrete nga burgu i të dënuarve politikë në adresë të titullarëve të Sigurimit për një grusht shteti në radhët e udhëheqësve komunistë.A është informuar më parë Kadri Hazbiu për planin e Beqir Ballukut për përmbysjen e pushtetit popullor dhe si u fsheh denoncimi agjenturor deri në vitin '75.Pse nuk mbërrinin tek Enveri letrat me informacione komprometuese për drejtuesit e lartë të partisë dhe cili ishte roli i krerëve të Sigurimit për këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›