Çmimi kthehet në sherr nacionalist
• Duket se edhe transparenca e ka koston e saj. Dy zerot e dhëna nga Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj për këngën e dy vajzave kosovare, Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, kanë shkaktuar një sherr të madh prapa kuintave të festivalit.anila memaNgjarja ka ndodhur pesë minuta pas zbrazjes së sallës, në momentet kur Olta Boka, fituesja e edicionit të 46-të të këngës priste të merrte urimet, por nuk ka dëgjuar veçse bërtitje dhe ulërima mes disa anëtarëve të jurisë dhe disa prej drejtuesve të TVSH.Eshtë menduar se kënga e Edmond Zhulalit do përfaqësonte Shqipërinë në Beograd, në maj, kohë kur mendohet të shpallet pavarësia, por normalisht Xhuvani dhe Skënderaj duket se nuk kanë pranuar të bien pre e “presioneve nacionaliste”. Një detaj tjetër tepër interesant është një incident i vogël që ka ndodhur një natë më parë finales, atëherë kur juria është mbledhur për të përzgjedhur finalistët. Drejtori artistik i këtij festivali, Edmond Zhulali, njëkohësisht dhe kompozitor i këngës “Jeta kërkon dashuri”, e cila rrëmbeu çmimin e dytë në garë, tregon se së bashku me drejtoreshën e festivalit, Zamira Koleci, kanë tentuar të marrin pjesë gjatë përzgjedhjes të finalistëve, por nuk janë lejuar të hyjnë brenda nga kineasti Gjergj Xhuvani, me pretekstin se Zhulali është pjesë e garës. I fyer nga kjo sjellje, Zhulali ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen, ndërkohë që është thirrur sërish nga ata dhe është rikthyer. Luftë klanesh, një luftë interesash, individësh apo pas këtij veprimi të Xhuvanit e Skënderajt fshihet akumulimi i presioneve dhe ndërhyrjeve që ata pretendojnë se kanë patur nga disa prej konkurrentëve. Një imitim i fabulës së filmit shqiptar “Tela për violinë”?! Por një tjetër detaj na bëhet me dije për drejtorin e përgjithshëm të RTSH, Petrit Beci, i cili duket se ka dashur të japë dorëheqjen pas gjithë debateve të ngritur pas përfundimit të garës. Dhe është mjaft e njohur tashmë që pas një gare, pas një vlerësimi ka gjithmonë kontestime, ka gjithmonë pakënaqësi, ka gjithmonë debate. Direkt pas shpalljes së emrave fitues ka nisur një luftë e ashpër mes të vlerësuarve dhe jurisë. Duket se mes këtyre të fundit ka pasur një lloj marrëveshjeje për çmimin e parë të garës, por që në fund nuk është “zbatuar”. Dhe për fat të keq, votimi publik i jurisë t’i jep këto shanse për t’i vërtetuar. I tillë ishte kësaj here në edicionin e 46-të të këngës. Ndonëse pjesa më e madhe e jurisë, emra të njohur të muzikës shqiptare (Agim Krajka, Gjergj Leka, David Tukiqi apo edhe gazetari Baton Haxhiu) kanë vlerësuar me nga 12 pikë këngën “Jeta kërkon dashuri” të këngëtareve nga Kosova, Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, ndërsa Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj i kanë dhënë 0 pikë kësaj kënge, duke vlerësuar me 12 pikë këngën “Zemrën e lamë peng” të Olta Bokës, e cila u zgjodh edhe fituesja. Kompozitori Edmond Zhulali ka reaguar menjëherë pas këtij procesi, të cilin e quan absurd, sikurse edhe shumica e anëtarëve të jurisë. Deri paraditen e së dielës, kur janë përzgjedhur edhe 17 fituesit, mësohet se juria ka qenë në një mendje të përbashkët, po aq edhe për dy-tre konkurrentët më të mirë, por në mbrëmje, kur edhe janë bërë publike votimet e deklaruara direkt nga salla, duket se gjithçka është kthyer përmbys. Direkt pas përzgjedhjes së fituesve kanë nisur debate edhe më të ashpra mes anëtarëve të jurisë në prapa kiunta për vlerësimin, debat i cili ka vazhduar gjithë natën dhe deri dje në orët e vona të mbrëmjes. Po dje të gjithë anëtarët e jurisë janë kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ku secili ka dhënë versionin e tij. Përzgjedhja është quajtur edhe gusto personale, por që në një juri të përbashkët nuk pi edhe shumë ujë. Por përtej sherreve mes tyre, ky debat ka marrë gjithashtu nota politike për mosvlerësimin e dy këngëtareve nga Kosova me çmimin e parë. Madje, në kronikat televizive të TVSH-së, ndoshta “për transparencë” janë cilësuar edhe mjaft komente të ardhura në adresë të festivalit, komente që e cilësojnë të turpshme përzgjedhjen e këngës fituese “Zemrën e lamë peng” të kompozuar nga Adrian Hila dhe Pandi Laço, kënduar nga Olta Boka, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë për të pestën herë në Eurosong.