E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria, kontroll online dosjeve civile në gjykata

• Zëvendësministri i Drejtësisë organizoi dje një takim me kryetarët e gjykatave të vendit për menaxhimin e proceseve nëpër gjykata, nëpërmjet një sistemi të përbashkët elektronik.Fatos Mahmutaj Tashmë Ministria e Drejtësisë dhe Gjykata e Lartë do kontrollojnë punën e përditshme nëpër gjykata. Në fakt bëhet fjalë vetëm për çështjet civile, ndërsa penalet më vonë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilave, të gjithë krerët e gjykatave të vendit, veç asaj të Krimeve të Rënda, morën pjesë në takimin me zëvendësministrin, Eduart Halimi dhe përfaqësues të projektit EURALIUS. Shkak i mospjesëmarrjes së kreut të Krimeve të Rënda ishte fakti që ky institucion nuk gjykon çështje civile, por vetëm penale.Projekti Më datë 20 janar pritet të inaugurohet sistemi i ri, sipas rekomandimeve të misionit evropian të BE-së, për drejtësinë shqiptare. Ky sistem për pak kohë u testua në Gjykatën e Durrësit dhe disa gjykata Apeli në vend dhe rezultoi i suksesshëm, çka bëri që Ministria e Drejtësisë të vendosë instalimin tij në të gjitha gjykatat e vendit. Ministria e Drejtësisë pohoi dje, se ky sistem do të jetë i njëjtë me atë që përdor aktualisht Gjykata e Lartë. Me futjen e sistemit të ri elektronik çdo gjykatë pritet të ketë ueb-siten e vet, ndërsa të dhënat që do publikohen në to do të merren automatikisht nga serveri i institucionit. Projekti pritet të rrisë transparencën në gjyqësor. Nëpërmjet një linje interneti, të gjitha gjykatat e vendit do të lidhen njëkohësisht me dy servera, njëri prej të cilëve do të jetë instaluar në Ministrinë e Drejtësisë dhe tjetri në Gjykatën e Lartë. Fillimisht sistemi do të instalohet vetëm për menaxhimin e çështjeve civile nëpër gjykata, ndërsa kryetarëve të këtyre institucioneve iu kërkua dje të trajnojnë administratën dhe gjyqtarët në përdorimin e tij. Programi Kryetarët e gjykatave që tashmë e kanë prej një viti këtë sistem paraqitën dje problemet dhe vështirësitë që u kanë dalë, në mënyrë që të korrigjohen. Inaugurimi i këtij sistemi pritet të bëhet më datë 20 janar, ndërkohë pas pak kohësh në këtë sistem pritet të hyjnë edhe çështjet penale, të cilat në fakt zënë një numër më të vogël në krahasim me civilet. Gjykatat, që prej disa vitesh janë informatizuar dhe kontrollojnë të gjitha të dhënat nëpërmjet sistemeve elektronike për përdorim brenda institucionit, do u duhet të heqin dorë nga kjo për t’u përfshirë në sistemin e ri elektronik. Burime të Ministrisë së Drejtësisë pohojnë, se gjatë takimit të djeshëm, kryegjyqtarëve të vendit iu kërkua të nisin menjëherë trajnimin e administratës në mënyrë që të mos paralizohet puna në momentin që do nisë funksionimi i programit elektronik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›