“U zhgënjeva nga votimi”
• Ndihet i fyer, jo vetëm për mosvlerësimin e këngës së tij nga dy anëtarët e jurisë, por edhe për faktin se një ditë para festivalit nuk është lejuar për të qenë pjesë gjatë përzgjedhjes së finalistëve si drejtor artistik i festivalit.anila memaKompozitori Edmond Zhulali reagon direkt pas vlerësimit me çmim të dytë të këngës së tij “Jeta kërkon dashuri”, shkruar nga Agim Doçi dhe të kënduar nga dy kosovaret, Doruntina Disha dhe Flaka Krelani. Por nga e kanë fillesën gjithë këto prapaskena për vlerësimin e këngëve. Zhulali shprehet në një intervistë për gazetën tonë.Vetëm pak minuta pas përfundimit të Festivalit të 46-të në RTSH, nisin polemikat për këngën tuaj. Nga lind gjithë ky debat? Unë isha pjesë e garës, pasi unë në radhë të parë jam muzikant, jam krijues. Gjithë krijimtaria ime lidhet me muzikën, me këngën dhe nuk mund të mos e shihja veten pjesëmarrës në një eveniment kaq të rëndësishëm dhe sidomos rëndësia e këtij festivali ishte e veçantë, pasi kënga fituese këtë vit do të shkojë në Beograd, në një vend fqinj ballkanik, ku unë mendoj se ndryshe nga gjithë festivalet e tjera, ne duhet të jemi sa më dinjitozë dhe profesionalë dhe me një krijim sa më të goditur. Po të shikoni vlerësimin e jurisë, që nga Agim Krajka, një nga muzikantët më të shquar të Shqipërisë, Gjergj Leka po ashtu, David Tukiqi, një muzikant i shkëlqyer me karrierë të gjatë si kompozitor, profesionisti, gazetari Baton Haxhiu, të gjithë i dhanë 12 pikë, dhe në fakt kur po dëgjoja pikët e tyre radhazi më erdhi zor, thashë të paktën të ketë një thyerje, se më duket paksa e habitshme dhe kur më vonë pashë që Alban Skënderaj dhe Gjergj Xhuvani i dhanë 0 pikë, u zhgënjeva tërësisht. Si ka mundësi që muzikantë kaq të shquar, profesionalë dhe aq të pakorruptueshëm në mendimin e tyre, si Krajka, Leka, Tukiqi të kenë një ndryshim kaq të madh në pikët e tyre, me ekstremet 12 me 0. Ishte e habitshme dhe këtu mendoj se është tendencioze dhe jam shumë i zhgënjyer, nuk e prisja kurrë që të ndodhte një votim i tillë, jo që të jetë në favorin tim, por me disfavore kaq të mëdha. Sepse nëse një profesionist jep pikët maksimale, tjetri ose mund të japë 9 apo 8, por jo te zero. Megjithatë jam tepër i emocionuar, sepse unë në krijimtarinë time kam lidhje të veçantë, ndoshta nga të gjithë kompozitorët me popullin e Kosovës. Unë jam autor i 100 këngëve gjatë luftës së Kosovës, jam autor i “Marshit të UÇK”, “A vritet pafajësia”, “Jam Kosova e Shqiptarisë” dhe hitet që kanë shoqëruar vitet e luftës. Gjithashtu jam dekoruar dy herë nga UÇK-ja për kontributin për luftën dhe sot kam marrë telefonata dhe mesazhe të pafundme. Kush e përzgjodhi jurinë? Janë zgjedhur me pëlqimin e institucionit ku përfshihem edhe unë, është punë e bërë kolegjiale. Gjergj Xhuvani është nënkryetar i këshillit drejtues, një kineast i njohur dhe nuk mund të diskutohet prania e tij paraprakisht. Tani pas faktit, unë do të kontestoj për mënyrën se si votoi. Edhe Alban Skënderaj u zgjodh si një këngëtar i ri, që të jepte një frymë të re dhe me këtë motiv unë isha dakord, por në fakt kam pasur një hezitim, sidomos nga shumë arsyetime të kolegëve që thoshin (pa e paragjykuar në karrierën e tij) Albani do na gjykojë neve. Unë kam një natyrë që asnjëherë nuk i çoj gjërat në konflikte të mëdha, por u mundova t’i qetësoj gjithë kolegët e mi që do të jenë objektivë, por më i dëmtuari isha unë.Po për skemën e votimit të këngëve si është vendosur?Për skemën e jurisë do të thosha se jam unë iniciatori që në vitin e kaluar, i përzgjedhjes nga juria prej shtatë vetë, të cilët e thonë mendimin e tyre hapur. Është një nga skemat demokratike, por nuk them që është më e mira, pasi të jetë më e mira duhet që sa më i zgjeruar të jetë rrethi, i cili përzgjedh dhe këngën. Por për kushtet që ka Shqipëria, votimi me sms është shumë i dëshirueshëm, pasi të dy operatorët që operojnë në treg, ndoshta nuk kanë edhe kushte teknike që të realizojnë votime të besueshme për ne, prandaj aktualisht mbetet votimi i jurisë, më i besueshmi. Profesionalisht jam i zhgënjyer totalisht nga votimi i kësaj jurie, por në radhë të parë kjo tregon që unë si drejtor artistik dhe si krijues nuk kam gisht tek ata. Do të jap dhe një deklaratë personale, gjatë jetës sime nuk mund të dalë njeri e të thotë që Edmond Zhulali të ketë kërkuar që t’i japë pikë për këngët. Unë futa elementin modern, në orkestrimin e këngës si gjysmë pop–rok, gjithashtu kam pasur shumë kujdes edhe në ndërtimin e këngës, sipas motiveve dhe modeleve shqiptare. Gjithashtu një element i rëndësishëm ishin dy këngëtaret kosovare shumë simpatike dhe vokalisht të shkëlqyera, Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, këngëtare e njohur në Norvegji me hite. Do të përmend tekstin shumë domethënës që na nderonte ne në Beograd, sepse flet për paqen, për ndjenjat e dashurisë ndërmjet njerëzve. E në këtë kontekst që po flas, kënga kapi shumë pika të suksesit, ishte ritmike, shqiptare, moderne.Më thatë tendencioze, pse, ka pasur ndonjë konflikt mes jush? Kjo do të sqarohet me kalimin e kohës. Akoma nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur, se si ka mundësi që votimi të kalojë në këtë ekstrem. Në fakt, dyshimi ka nisur dhe një ditë më parë, kur në kualifikim nga nata e parë dhe e dytë në të tretën, në momentin që u mblodh juria për përzgjedhjen e finalistëve, unë me drejtoreshën Zamira Koleci, duhet të ishim prezent për të ndjekur procedurat e votimit të jurisë. Na u kërkua nga Gjergj Xhuvani që ne të dilnim jashtë. Nuk ka ndodhur në historinë e TVSH-së që drejtuesit e festivalit të nxirren jashtë. U preka atë natë dhe ika i fyer në mënyrë administrative nga institucioni, por ato më kërkuan me forcë që të kthehesha, dhe përsëri u ktheva. Dhe ky incident për mendimin tim ishte tepër i rëndë, sepse nuk mund të thuhet që “ti Edmond Zhulali dil jashtë nga vendi ku po votojmë neve, sepse ti je krijues”. Edhe në natën finale unë isha në sallë dhe u votua sërish për mua. Pra, nuk ishte ky problemi. Ky debat ka marrë edhe ngjyrime politike. Ç’ndjesi ju krijon kjo?Aspak nuk më tremb fakti politik, më krijon një ndjesi jo fort të mirë për faktin që kosovarët janë të prekur. Më vjen shumë keq që është krijuar një gjendje e tillë tek ata. Unë jetoj shumë me Kosovën dhe jetoj shumë me të. Nuk dua që ta politizoj mendimin që në momentet e fillimit të festivalit u kam sugjeruar drejtorit Beci, që ne do të shkojmë në Beograd me një këngë që të shpalosim vlerat e artit tonë, me një këngë profesionale dhe jo me këngë provokuese. Ne do t’i tregojmë gjithë botës që me kushtet politike që jetojmë, që jemi qytetarë, që jemi artdashës dhe nuk shkojmë atje për politikë, por për artin tonë.deklaratat e anetareve te juriseGjergj Xhuvani Jam kineast dhe kam bashkëpunuar me shumë kompozitorë të njohur shqiptarë e të huaj. E njoh shumë mirë muzikën dhe nuk shitem. Jam Gjergj Xhuvani dhe jam më i ndershmi i botës. Gjergj LekaNe si profesionistë dhamë maksimumin tonë, por u treguam idiotë që u treguam pikët të tjerëve, në një kohë që ato nuk i treguan pikët e veta, të paktën Albani tha të mendohem. Ne thjesht nuk e menduam se t’ju jepnin zero pikë. Nuk mundesh që kur je në juri të kesh gusto personale. Ne profesionistët dhamë maksimumin e pikëve dhe vendimi i dy njerëzve ndoshta të papërgjegjshëm, na sjell në këtë pikë. Ne ngatërrojmë gjërat. Thjeshtë dua të them që gjithë ky diskreditim yni vjen nga llogaritja e pikëve që ata bënë. Nuk ishte asgjë e përgatitur më parë. Ajo që ne vlerësuam ishte kënga më e pritur mirë jo vetëm në natën finale, por edhe hoqën nga nata e tretë këngën e Rovena Dilos, sepse nuk ishte për natë finale. David Tukiqi Ne muzikantët u morëm me muzikën, të tjerët u morën me pikët.Agim Krajka Gjergj Lekën e kam pasur shok, koleg, David Tukiqin po ashtu, ndërsa të tjerët ishin të panjohur për mua. Mendoj se për aq sa thashë edhe gjatë votimit, ishte shumë funksionale që më në fund meqë Eurosong bëhet në Beograd, të çojmë një këngë me nivel shqiptar dhe për këtë patëm mendim të njëjtë që i dhamë nga 12 pikë. Jo vetëm kaq, por ishte këngë e goditur dhe thellësisht shqiptare për mua. Ne kishim objeksionin që kënga të tingëllonte shqip dhe unë mendoj se kënga e dy kosovareve e kreu me të vërtetë këtë gjë. Çdo njeri ka mendimin e vet, por ne ngelëm të çuditur nga rezultati, por çdo njeri mban përgjegjësi vetë. Unë personalisht nuk do e çoja këngën fituese në Eurosong, jo se ishte këngë e keqe, por në këtë rast, që edhe festivali bëhet në Beograd duhet të paraqiteshim me një këngë thellësisht shqiptare, këngë që ne ishim dakord të merrte çmimin e parë me dy vajza kosovare me zë të mrekullueshëm. Rudina MagjistariPër mua ishin të dyja këngë shumë të bukura dhe dilema ishte e fortë, demokratikisht gjykimi i shumicës do të duhej të vendoste për këngën më të mirë të festivalit, ndaj unë bëra këtë zgjedhje. Duke ditur edhe opinionet e anëtarëve të tjerë të jurisë, unë pak a shumë isha e përgatitur se cila mund të fitonte, por kur pashë votimin e anëtarëve të tjerë deri në momentin që u dha mbledhja përfundimtare e pikëve, unë nuk kisha asnjë ide se kush fitonte. Gjërat ndryshuan fort. Nuk mund të paragjykoj shijet e askujt, por gjithsesi mendoj se oshilacione kaq drastike mes artistëve profesionistë janë të çuditshme. Juria në totalin e vet u ndëshkua në një farë mënyre, gjë që nuk e meritonte dhe këtë e them pasi i referohem punës që kemi bërë ndërkohë gjatë këtyre ditëve, pas një bashkëpunimi intensiv dhe mirëkuptimi optimal me njëri-tjetrin. Pavarësisht kësaj, ky festival është vlerësuar si shumë cilësor, festival me një identitet të mirëfilltë, me muzikë që reflekton vlera dhe pa asnjë lloj kllounate, e cila na është bërë e shpeshtë kohët e fundit në muzikën shqiptare. Alban SkënderajUnë në radhë të parë jam i lirë që të shpreh shijet e mia të pavarura. Jam një artist dhe fakti është që jam i ri dhe shijet e mia mund të jenë totalisht ndryshe nga njerëz që janë më të vjetër se unë në shije dhe koncept muzike, edhe shijet janë të pavarura. Unë jam një njeri, i cili e ka krijuar karrierën e tij të vogël jashtë këtyre rretheve të krijuara nga njerëzit që organizojnë, por unë nuk kam nevojë dhe as më shkon ndërmend të shpreh një gjë që nuk e ndiej. Unë isha për pikët maksimale për këngën që fitoi çmimin e parë, sepse ne artistët mund të flasim në të gjitha gjuhët teknike dhe profesionale. Ajo më ngjalli emocion, preku edhe artistët. Dhe kushdo qofshin, edhe kompozitorët, është mirë t’i lënë hapësirë njerëzve të rinj të panjohur, se lindin talente të reja dhe të jetë mundësi e barabartë për të gjithë. Për mua ishte artistja që preku publikun dhe e duartrokitën e u mallëngjyen. Ky ishte vendimi im i pastër, dhe unë jam totalisht jashtë kësaj logjike dhe këtij rrethi. Unë isha një askush para disa viteve, mundësia që m’u dha mua u jepet shumë pak njerëzve dhe mbi të gjitha ajo këngë për shijet e mia muzikore meritonte të fitonte. Çmimi i dytë mua nuk më pëlqeu. Muzikalisht ishte shumë e vjetër. Kisha pasur edhe unë dëshirë të shkonte një kosovar për shumë arsye në Eurosong, por nuk më pëlqente të prezantohej me një këngë me natyrë të vjetër. Kënga që zgjodha është e freskët, me ndjenja dhe me zë të ngrohtë, muzikalisht moderne, që mund t’i prezantojë pastër, bukur dhe shumë artistikisht shqiptarët.