Studenti hedh nga dritarja orenditë,nuk i liruan dhomën për të dashurën
• TIRANE - Studenti 24-vjeçar mbërrin i dehur në godinë bashkë me të dashurën dhe hedh të gjitha pajisjet nga ballkoni, pasi shoku i dhomës nuk pranoi të lironte ambientet përkohësisht.Sipas policisë, 24-vjeçari donte të qëndronte me të dashurën deri në mëngjes, por nuk ia ka arritur qëllimit pasi shoku i tij nuk ka pranuar të dalë nga dhoma. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të hënës, rreth orës 40:00, në Qytetin Studenti, kur policia është njoftuar për një konflikt në katin e katërt të godinës nr.13. Blutë e Qytetit Studenti kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Bruno Muratit, 24 vjeç. Sipas tyre, Murati akuzohet për shkatërrim të pronës dhe prishje të rendit e të qetësisë publike. Ndërkaq kujdestari i godinës i ka vënë në ngarkim studentit 24-vjeçar të gjitha materialet e dëmtuara, vlera e të cilave, sipas burimeve të policisë, kapte shifrën e 70 mijë lekëve të reja. Një natë më parë, Bruno Murati kishte dalë me një vajzë dhe kishin festuar e pirë në disa lokale nate në Tiranë. Rreth orës 4:00 të mëngjesit Murati dhe mikesha e tij kanë lënë lokalet e natës dhe janë drejtuar në Qytetin Studenti. Duke qenë se kishte ende kohë deri në të gdhirë dhe vajza nuk mund të shkonte në godinën e saj, kanë vendosur të shkojnë në dhomën e Brunos. Në dhomë ndodhej shoku i studentit, i cili kishte disa orë që flinte. Sapo ka mbërritur në dhomën nr.401 të godinës nr.13, Bruno ka zgjuar shokun e dhomës, duke i kërkuar që të largohej për disa orë. “Shoqja ime nuk ka ku të qëndrojë dhe duhet që ajo të rrijë këtu deri në mëngjes”. Kjo kërkesë duket se i ka ngritur nervat shokut të Brunos dhe është kthyer në krahun tjetër, duke mos ua vënë veshin fjalëve të 24-vjeçarit. Pas këtij veprimi, studenti ka nisur të zbrazë dhomën nga orenditë, sendet dhe rrobat. I akuzuari i ka hedhur të gjitha orenditë nga dritarja. Karriget, tavolinat, komodinat e rrobat kanë përfunduar jashtë godinës. Policia, e cila është lajmëruar për ngjarjen, ka shoqëruar në rajon studentin Murati dhe të dashurën e tij. Vajza ka pretenduar se kishte shkuar në dhomë, për t’u kujdesur për Brunon meqë ai ishte i dehur. Vetë personi ka pohuar se ka qenë i dehur dhe se nuk mbante mend asgjë nga veprimet që kishte kryer. da.bi