I moshuari digjet nga furnela elektrike

TIRANË- Digjet aksidentalisht me furnelën elektrike i moshuari në momentet që po ngrohej në banesën e tij. Isa Tafa, 65 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë u dogj dje në banesën e tij nga flakët e shkaktuara nga një furnelë elektrike që ishte ndezur nga vetë i moshuari për t'u ngrohur. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 17. 30 minuta në rrugën "Tahsim Shehu" pranë vendit të quajtur "Rruga Ura" në kryeqytet. I moshuari ishte pensionist dhe ishte i paralizuar dhe kjo ka qenë një nga arsyet që 65 vjeçari nuk ka mundur të shpëtojë nga flakët. Përveç se kishte aftësi të kufizuar në të lëvizur, viktima vuante prej disa vitesh edhe nga diabeti dhe kurohej intensivisht për këtë sëmundje. Mësohet se rreth orës 17 e 20 minuta, viktima ka hyrë në një nga dhomat banesës së tij që kishte shërbyer më parë si dyqan dhe ka ndezur një furnelë elektrike për t'u ngrohur. Por për pak minuta rrobat e tij kanë marrë flakë, duke i shkaktuar 65 vjeçarit djegie të rëndë në të gjithë pjesët e trupit. Ai ka qenë i vetëm në shtëpi në momentet kur rrobat që mbante në trup i kanë marrë flakë dhe nuk ka pasur mundësi të lëvizë pasi ka pasur të paralizuar njërën dorë dhe këmbë.
Disa minuta pasi i moshuari ishte shkrumbuar në dhomën që nuk kishte pasur sende të tjera, është konstatuar nga familjarë të tij tymi që dilte nga banesa e tyre. Por kur kanë hyrë për të parë se çfarë kishte ndodhur kanë gjetur të pajetë të afërmin e tyre. Trupi i pajetë e Isa Tafës nuk është lëvizur nga vendi derisa në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Komisariatit nr. 4 dhe oficerët e zyrës së vrasjeve në Policinë e Tiranës. Për disa minuta në vendin ku u gjet i djegur Tafa, ekspertë të policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe kanë arritur në përfundimin që i moshuari është djegur në mënyrë aksidentale dhe nuk është vetëdjegur. Dyshimet e para të Policisë së Tiranës ishin për një vetëdjegie të 65 vjeçarit, por pas hetimit të ngjarjes ka rezultuar që vdekja e Isa Tafës ka qenë aksidentale. Mësohet se trupi i viktimës ka pësuar djegie të shkallës së rëndë në të gjithë pjesët e trupit dhe për pasojë ka ndërruar jetë para se të gjendej nga familjarët e tij. Trupi i viktimës u dërgua në morg ku do të kryhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore që do të përcaktojë shkallën e djegies. Isa Tafa, babai i tre vajzave, jetonte në një banesë private në rrugën "Tahsim Shehu" dhe mësohet se tre vite më parë, i kishte vdekur edhe bashkëshortja.