“Fol” merr reagim nga Kuçi

Në “Matësin e së Vërtetës”, për të katërtën herë me radhë nga Lëvizja “Fol”, janë prezantuar pesë deklarata të zyrtarëve të lartë shtetërorë, si të vërteta dhe të pavërteta. Ndërsa aktivistë të kësaj lëvizjeje, bënë të ditur se gjatë kësaj jave kanë marrë një reagim nga zëvendëskryeministri Kuçi, për deklaratën e publikuar javën e kaluar si të pavërtetë.
Petrit Zogaj, aktivist i Lëvizjes “Fol”, në konferencën me gazetarë, njoftoi se gjatë ditës së mërkurë kanë marrë një shkresë nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili ka reaguar lidhur me vlerësimin e një deklarate si të pavërtetë, të publikuar në “Matësin e së Vërtetës”, javën e kaluar.
Sikur raporton KosovaPress, Kuçi, përmes një shkrese elektronike, ka njoftuar për procedurën e ligjit për financimin e partive politike. “Jam i apostrofuar me matësin e javës së kaluar dhe dua të njoftoj për procedimin që ka shkuar nga Qeveria në Kuvend”, ka shkruar Kuçi. Mirëpo, Zogaj ka shtuar se premtimi i Kuçit ka qenë i pavërtetë për faktin se ai më 6 qershor 2009, ka thënë që para zgjedhjeve lokale do ta kemi ligjin për financimin e partive politike.
“Fol” prezantoi vlerësimet e pesë deklaratave të zyrtarëve të lartë të shtetit, dy nga to të kryeministrit Hashim Thaçi, njëra si e vërtetë tjetra e pavërtetë, një e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, e ministrit të Shëndetësisë Alush Gashi, si dhe një e kryeprokurorit të EULEX-it, Teo Jakobs.
Në mesin e deklaratave “të pavërteta”, këtë javë, është përfshirë edhe një deklaratë e ministrit të Shëndetësisë, Gashi, i cili ka thënë që shëndetësia kosovare që nga koha kur ai drejton këtë ministri, është shumë mirë. Sipas Lëvizjes “Fol” kjo është një e pavërtetë, sepse shëndetësia kosovare edhe më tej vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme.
Deklarata e kryeprokurorit të EULEX-it, Teo Jakobs, dhënë me 3 nëntor 2009, lidhur me arrestimet që do të bëheshin për afera korruptive dhe joligjore të figurave politike, është vlerësuar si e pavërtetë, sepse edhe pas kësaj deklarate, nuk ka asnjë angazhim të EULEX-it për arrestim.
Edhe deklarata e kryeministrit Thaçi dhënë një gazete austriake e cila i referohet rastit Bllaca, sipas “Matësit të së Vërtetës” është vlerësuar e pavërtetë.