E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi Haradinaj është keqpërdorur

Dhjetë muaj dhe dhjetë mijë euro është dënimi me kusht i shqiptuar ndaj zyrtarit të AAK-së, Jahja Lluka. Ky dënim i është shqiptuar atij për shkak se Gjykata e Qarkut në Prishtinë e ka shpallur atë fajtor për keqpërdorim të Fondit Haradinaj.

Ndërkaq, dy të akuzuarit e tjerë, ish-drejtori i përgjithshëm i bankës “Kasabank” Milazim Abazi, si dhe menaxheri i Degës në Prishtinë i kësaj banke, Hashim Sejdiu, janë shpallur të pafajshëm.

Sipas kryetarit të trupit gjykues të këtij rasti, gjyqtarit ndërkombëtar, Francesko Florit, Gjykata nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tyre.

Nga katër pika që përmban aktakuza e përpiluar kundër tre të dyshuarve, tri prej këtyre pikave rëndojnë mbi zyrtarin e lartë të AAK-së, Jahja Lluka.

Në dy pikat e para të aktakuzës, mbi Llukën rëndon akuza për deklaratë apo raportim i rremë, në kundërshtim me rregulloren e UNMIK-ut.

Sipas aktakuzës, thuhet se Lluka gjatë periudhës gusht 2005 - janar 2007, si përfaqësues dhe bashkëthemelues i OJQ-së së quajtur “Komiteti për Mbrojtjen e Ramush Haradinajt”, me rastin e depozitimeve të të hollave në xhirollogarinë e fondit në ‘Kasabankë’, në rastet kur depozitimet kalonin shifrën prej 10 mijë eurosh brenda një dite, ai ka ndarë dhe strukturuar depozitime në transaksione të shumëfishta në shuma prej më pak se 10 mijë eurosh.

Më pas thuhet se ai i ka vënë ato nën emrat e shumë individëve të tjerë, duke shkaktuar kompletimin e dokumenteve të depozitimeve që kanë pasqyruar në mënyrë të rreme burimin dhe shumat e përfshira.

Ndërsa sipas pikës së tretë të aktakuzës, Lluka akuzohet për pranim të paligjshëm të kontributeve, në shuma që kalonin shifrën prej 1 mijë eurosh në ditë dhe atë nga një burim i vetëm.

Ndërkaq, pika e katërt e aktakuzës kishte ngarkuar Milazim Abazin dhe Hashim Sejdiun me akuzën për mosraportim të transaksioneve në bashkëpunim.
“Gjatë periudhës 19 gusht 2005 - 25 janar 2007, Milazim Abazi, drejtor i përgjithshëm i Kasabank dhe Hashim Sejdiu, menaxher i Degës së Prishtinës në KSB, në bashkëpunim dhe ndërsa vepronin si zyrtarë në këtë bankë, me dashje nuk kanë raportuar apo kanë shkaktuar mosraportim te Qendra për Hetim Financiar lidhur me një akt të dyshimtë apo transaksione në shuma prej 10.000 eurosh, ashtu siç kërkohet me ligj”, thuhet në aktakuzë.

Pas marrjes së aktvendimit nga trupi gjykues ndërkombëtar dhe ai vendor, avokati mbrojtës i Llukës, Arianit Koci paralajmëroi se do të paraqesë ankesë në afatin e caktuar kohor. Avokati Koci edhe më tej beson në pafajësinë e klientit të tij.

“Unë ende besoj që klienti im, z. Lluka, është i pafajshëm”, tha Koci.

Ngritjen e akuzave ndaj Llukës, avokati i tij mbrojtës e ndërlidh me procesin e gjykimit të Ramush Haradinajt në Hagë. Sipas tij, i gjithë ky proces ka qenë i montuar nga shërbimi sekret serb.

“Krejt ky proces ka shkuar paralelisht me procesin në Hagë të Ramush Haradinajt. Është dashur të pamundësohet një vetëmbrojtje. Mos harroni se është spekuluar mjaft dhe shumë vështirë ka qenë të sigurohet një mbrojtje e dinjitetshme, për shkak se janë fabrikuar gënjeshtra nga ana e sigurimit publik serb dhe nga ana e kundërzbulimit serb, të famshmit KOS. E gjithë kjo strukturë ka fabrikuar rrena për Haradinajn dhe popullin e Kosovës”, tha Koci.

Ndërsa, mbrojtësi i Hashim Sejdiut, avokati Bajram Tmava tha se që nga fillimi provat kanë treguar se klienti i tij dhe po ashtu edhe i akuzuari i dytë, Milaim Abazi, kanë qenë të pafajshëm.

“Provat kanë qenë që nga fillimi e deri në mbarim të këtij procesi gjyqësor në raport me klientin tim, Hashim Sejdiun dhe me Milaim Abazin, të tilla që asnjëri nuk ka kryer veprat penale, për të cilat është dyshuar se i kanë kryer. Konsideroj se është vendim plotësisht i drejtë”, tha avokati Tmava.

Vendimin e marrë për këtë rast e ka kundërshtuar edhe prokurori special i çështjes, Nazmi Mustafi.

Megjithatë, arsyetimet e këtij vendimi, prokurori Mustafi tha se do t’i paraqesë më vonë.

Në seancat e këtij rasti të mbajtura më parë, prokurori Mustafi kishte akuzuar Jahja Llukën se brenda një dite, ka pasur rast kur ka depozituar në llogaritë e këtij fondi, deri 39 herë nga 9 mijë euro.

Mirëpo, Lluka, shef i protokollit në zyrën e ish-kryeministrit Haradinaj, kishte insistuar se e tërë veprimtaria e tij dhe e të tjerëve ka qenë konform ligjit.

Fondi Haradinaj është themeluar nga Komiteti, me iniciativën e Qeverisë së Kosovës dhe është drejtuar nga Ethem Çeku, Astrit Haraçija dhe Jahja Lluka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›