E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trishtohet Hamarbergu

Ka dëgjuar, ka parë dhe lexuar shumë lajme për mënyrën e jetesës së romëve në Kosovë, por atë që ka parë të premten nuk e kishte paramenduar asnjëherë.

Komisionari i Këshillit Evropian për të drejtat e njeriut, Tomas Hamarberg është trishtuar me pamjen e kampeve të romëve në veri të Kosovës. Pa hezituar shumë, Hamarberg erdhi në përfundim se Kosova nuk është e gatshme të presë refugjatë.

Ai ka akuzuar shtet e Evropës, të cilat vazhdimisht po kthejnë refugjatë të komunitetit rom në Kosovë. “E ndjej veten të turpëruar se si ka mundur të ndodhë një gjë e tillë në Evropën aktuale. Në Evropën e tanishme në shekullin dhe epokën në të cilën të gjithë ne po jetojmë. Ky është një skandal dhe kjo gjë sigurisht do të kërkojë shqyrtim, do të kërkojë analizë për të parë se si dhe pse ka ardhur deri te kjo, pasi kanë kaluar 10 vjet dhe nuk kemi parë të ndërmerren masa ose veprime që do të ndryshonin gjendjen për të mirë”, ka thënë Hamarberg.

Ai ka kërkuar nga Gjermania, Suedia, Zvicra dhe Austria të mos i bëjnë presion Kosovës për t’i pranuar refugjatët në këtë fazë kthimi të detyrueshëm. “Unë do t’ju bëj një apel të gjitha këtyre shteteve dhe apeli im është që ata të mos bëjnë kthimin masovik, por thjesht të përqendrohen në kthimin në bazë vullnetare, që ata që kthehen në këto baza të jenë me të vërtetë vullnetarë dhe jo të kamufluar”, ka thënë ai.

Komuniteti rom në kampin Osterede dhe Çesmin Lug, është vendosur për më shumë se 10 vjet. Në kampin Osteredes ka qenë i vendosur një kontingjent i KFOR-it dhe pas ankesave që kishin bërë ky kontingjent, janë bërë disa ekzaminime dhe disa analiza, ku është vlerësuar se lokacioni është me rrezik dhe është larguar kontingjenti.

Ndërkohë, edhe Avokati i Popullit të Kosovës, Sami Kurteshi vlerësoi se pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas janë duke jetuar në kushte të tmerrshme nëpër kampet në pjesën veriore dhe se tani është koha e fundit që institucionet të gjejnë një vend tjetër për këta njerëz, të cilët e kanë në rrezik edhe jetën.

Duke i quajtur si të tmerrshme kushtet e jetesës nëpër ato kampe, Avokati i Popullit ka thënë se niveli i tashëm i helmimit me plumb paraqet edhe rrezik për jetën e banorëve nëpër kampe.

“Unë po e përmbledh shumë shkurt se gjendja e këtyre njerëzve është shumë e rendë, është jashtëzakonisht e rëndë. Unë po e them si udhëheqës i institucionit të Avokatit të Popullit në njërën anë, por edhe si person privat se ajo që kam parë atje është e turpshme për një shoqëri, është e dhimbshme dhe e padinjitetshme. Ajo ka qenë një pamje që nuk dua ta shoh më në jetën time”, ka thënë Kurteshi.

Sipas tij, është detyrim i institucioneve, si vendore, ashtu edhe atyre ndërkombëtare që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje më të mirë dhe të qëndrueshme për banorët në kampet në pjesën veriore.

Ndërkohë, eurodeputetja gjermane Barbara Lochbihler, e cila angazhohet për të drejtat e pakicave thotë se personalisht është kundër kthimit të familjeve rome në Kosovë.

"Pikpamja ime është se ata nuk duhet të kthehen në Kosovë, sepse shumë nga ata sidomos fëmijët, shkojnë në shkollë kanë një mbështetje bazë, prindërit e tyre po ashtu ka vite që jetojnë në Gjermani dhe kjo është e mjaftueshme të thuhet se pse ata nuk duhet të kthehen në Kosovë. Natyrisht nëse këta njerëz dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre për arsye të ndryshme, atëherë mund ta bëjnë këtë, por nëse ata i detyron që të kthehen pa dëshirën e tyre, atëherë mendoj se kjo është një politikë e gabuar,”, shton ajo.

Lochbihler thotë se është e lehtë që marrëveshja për riatdhesim të hidhet në letër, mirëpo thelbi është se si do të implementohet ajo. Autoritetet e Prishtinës megjithëse kanë nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me shumë shtete evropiane, janë shprehur disa herë se në Kosovë nuk ka kushte të mjaftueshme për akomodimin e të kthyerve për faktin që shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë luftës së fundit.

Eurodeputeja gjermane, Barbara Lochbihler, thotë se kthimi i familjeve rome nga Gjermania do ta përkeqësojë gjendjen e këtyre familjeve.

"E drejta për të pasur shtëpi, që do të thotë se fëmijët kanë nevojë për shtëpi të ngrohtë, ku ka ujë dhe hapësirë të mjaftueshme ku fëmijët dhe prindërit e tyre mund të bëjnë një jetë të mirë. Kjo është e drejtë njerëzore. Mirëpo, kur e shihni se në Kosovë akoma ekzistojnë kampe me romë kjo është e papranueshme. A do të thotë se duhen krijuar kampe të tjera që rrezikojnë jetën e romëve,”, thekson Barbara Lochbihler.

Në veri të Mitrovicës ekziston që nga përfundimi i luftës kampi me dhjetra familje rome brenda hapësirave të kompleksit industrial Trepça. Shumë organizata ndërkombëtare kanë konstatuar se në hapësirat e kampit ka sasi të tepruar plumbi dhe sipas tyre kjo rrezikon prej vitesh jetën e banorëve romë të kampit në veri të Mitrovicës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›