E Diel, 1 Nëntor 2026

I moshuari italian vret gruan shqiptare pas sherrit në familje

 

ITALI - I moshuari italian 69-vjeçar vret me armë gruan shqiptare, me të cilët bashkëjetonte prej disa muajsh. Ngjarja ka ndodhur në Cuneo të Italisë dhe ka pasur për protagonistë një çift italo-shqiptar, që i përkisnin moshave 69 dhe 58 vjeç. Viktima mësohet të jetë Emine Hyseni, ndërsa ekzekutori i saj, Ermete Armando. Ai mbante me leje armën e përdorur për vrasjen e gruas shqiptare. Sipas policisë, akti kriminal ka ardhur pas një debati të ashpër mes të dyve. Pas krimit, i moshuari nuk ka lëvizur nga vendi i ngjarjes derisa kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët kanë realizuar arrestimin e tij, me akuzën e "vrasjes". Lajmi për ekzekutimin e 58-vjeçares shqiptare në Itali u bë i ditur dje nga agjencitë italiane të lajmeve. Referuar burimeve policore vendase pohohej se "Ermete Armando, 69 vjeç, ka vrarë Emine Hyseni, 58 vjeç, me origjinë shqiptare, me të cilën bashkëjetonte". Bëhet e ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00 të së premtes në Karalio, në provincën e Kuneos në Itali. Gjithçka ka ndodhur në kuzhinën e shtëpisë, të cilën të moshuarit ndanin me njëri-tjetrin. Sipas burimeve policore, ekzekutori, e kishte qëlluar shqiptaren me një pushkë të llojit "karabinë" e kalibrit 22 mm. Mësohet se mbi Hysenin është qëlluar pesë herë, çka i ka shkaktuar asaj vdekje të menjëhershme. Pas krimit ai nuk ka lëvizur nga banesa, por vetë ka telefonuar një fqinjën e tij, të cilës i ka rrëfyer se çfarë kishte ndodhur. Mësohet se ka qenë fqinja e tyre që ka lajmëruar më pas karabinierët. Pak çaste më pas, pasi kanë mbërritur në vendngjarje, karabinierët kanë gjetur trupin e pajetë të të moshuarës si edhe autorin e krimit aty pranë. Mësohet se ai nuk ka shfaqur kurrfarë rezistence dhe është rrëfyer para punonjësve të policisë, duke pranuar edhe autorësinë e krimit. Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve italiane, mësohet se dy të moshuarit, të dy të ve, jetonin së bashku prej një periudhe rreth një vit e gjysmë. Ndërsa për motivet që shtynë 69-vjeçarin në krim, dyshohet të jenë zënkat dhe grindjet e herëpashershme mes të dyve. Referuar burimeve mediatike lokale, të dy të moshuarit vuanin nga momente depresive dhe shpesh herë grindeshin mes tyre për motive banale. Autopsia e viktimës mësohet se do të kryhet ditën e hënë, ndërsa për 69- vjeçarin pritet të caktohet sot masa e sigurisë nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›