Edi Rama pas grupit PS: Nuk hyjmë në Parlament
Grupi Parlamentar i PS-së do të ngrejë një grup pune për të vendosur për kohën dhe kushtet se kur do hyjë PS-ja në Parlament. “Nuk hyjmë në Parlament pa bërë transparencën e zgjedhjeve. Ky vend nuk është pronë e Berishës, Metës e Nanos”, u shpreh Rama pas mbledhjes së grupit të deputetëve socialistë gjatë një komunikimi me mediat në selinë e PS-së. Kryetari i PS-së bëri publik zyrtarisht qëndrimin e marrë nga grupi parlamentar se PS-ja nuk do hyjë në Parlament pa bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Qëndrimi është i prerë, PS-ja nuk hyn në Parlament, sepse e konsideron institucion me legjitimet të cunguar”, deklaroi Rama. Një ndër kushtet për të hyrë në Parlament është Kuvendi që duhet të vihet në dispozicion të transparencës së procesit zgjedhor. “Ky pushtet duhet të kuptojë se nuk ka marrë mandat për të vazhduar të pushtojë mbi kokat tona. Gjatë gjithë procesit na janë mohuar të drejtat tona. Ky vend nuk është as pronë e Berishës, Metës dhe Nanos. Ky vend nuk është republika e një apo tre sulltanëve”, u shpreh dje Rama. Duke sqaruar më tej formën e bojkotit që do zhvillojnë socialistët në parlamentin e ri, Rama përsëriti se qëndrimi i PS-së nuk do të thotë braktisje e Parlamentit, por “kemi kushtëzuar hyrjen në Parlament”. “Ky nuk është një bojkot në kuptimin tradicional dhe me përmbajtjen primitive që ka pasur bojkoti në kohën kur Berisha braktiste parlamentin. Qëllimi ynë është të nxjerrim në pah gjithçka ka të bëjë me maskaradën zgjedhore, në mënyrë që të eliminojmë shkaqet dhe 28 qershori të mos përsëritet”, theksoi Rama.