E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i dhomave, përleshje në burg

 

Fatos Mahmutaj

Banda e Gjergj Cukalit rreh në qeli të dënuarin për grabitje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur tre ditë më parë në qelitë e burgut të Vaqarit, kur Ledion Lito dhe Ilir Kodumi, të arrestuar për pengmarrje ,kanë hyrë në qelinë e të burgosurit Julian Bija dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes teksa Lito dhe Kodumi, 29 dhe 28 vjeç, kanë hyrë në qelinë e Julian Bijës, 28 vjeç, dhe e kanë rrahur atë duke e qëlluar me grushte dhe shkelma. Sipas burimeve nga burgu, ata kanë përfituar nga mungesa e të dënuarve të tjerë në qeli, të cilët ndodheshin në ajrim. Shkak për grindjen është bërë fakti se Bija i kishte folur një të burgosuri tjetër, i punësuar për pastrimin e ambienteve të përbashkëta të burgut, që të mos pastronte qelinë e Litos dhe Kodumit. Siç duket, dy të dënuarit për pengmarrje, janë informuar për çfarë i kishte thënë bashkëvuajtësi Bija pastruesit dhe sapo kanë gjetur rastin e kanë rrahur atë. Ndërkohë burime zyrtare nga ky institucion i ekzekutimit të dënimeve penale, pohojnë se dy agresorët dhe viktima, qëndronin në të njëjtin sektor të burgut dhe kishin përfituar nga lënia e dyerve të qelive hapur, për shkak të temperaturave të larta të stinës së nxehtë. Po kështu sipas tyre, një tjetër arsye për të mbajtur dyert e qelive hapur është edhe mbipopullimi në këtë institucion dhe hapësira e vogël e qelive dhe dritareve, të cilat bëjnë që temperaturat nëpër qeli të jenë të papërballueshme. Duke përfituar nga ky shkak, Kodumi dhe Lito kanë hyrë në qelinë e Bijës dhe pasi e kanë sharë dhe ofenduar atë, kanë nisur ta qëllojnë me shkelma dhe grushte, ndërsa ai nuk ka arritur ta përballojë dhunën e dy bashkëvuajtësve. Pas pak aty ka ndërhyrë policia dhe të dënuar të tjerë, të cilët i kanë larguar nga njëri-tjetri protagonistët e grindjes. Më pas funksionarët e burgut dhe drejtuesit e policisë në këtë institucion kanë marrë masa për ngjarjen e rëndë, duke mbyllur në izolim tre të dënuarit. Pas dy ditësh në izolim, të tre të dënuarit janë rikthyer sërish nëpër qelitë e tyre pasi kanë folur me njëri-tjetrin dhe se kanë rregulluar marrëdhëniet mes tyre. Ndërkohë burime nga të burgosurit pohuan se grindja për pastruesin e burgut ishte preteksti i sherrit, pasi shkaku i vërtetë ishte inati që Bija kishte me një funksionar policie në këtë institucion. Sipas tyre, në fillim në izolim u mbyll viktima Bija, ndërsa dy të tjerët u dërguan në qelitë e izolimit pas reagimit të ashpër të të dënuarve të tjerë. Por ky version i ngjarjes u hodh poshtë nga krerët e këtij institucioni, të cilët pohuan se shkaku i grindjes ishte ngatërresa për të dënuarin që kishte pastruar qelinë e Litos dhe Kodumit. Sipas burimeve nga burgu, pasi janë nxjerrë nga izolimi, tre të dënuarit janë dërguar nëpër sektorë të ndryshëm brenda burgut në mënyrë që të mos kenë kontakte me njëri - tjetrin.

Drejtori: Incidenti për pastruesin

I kontaktuar dje nga gazeta, kreu i burgut të Vaqarit, Hyqmet Merepeza, konfirmoi faktin se dy të dënuarit Ledion Lito dhe Ilir Kodumi kishin pasur një incident me të burgosurin tjetër Julian Bija. Sipas tij, incidenti ishte shkaktuar për shkak të konfliktit që kishte lindur mes tyre për pastruesin e burgut. Pas kësaj, sipas drejtorit, Kodumi dhe Lito kishin shfrytëzuar rastin që dyert e qelive qëndronin hapur, për shkak të temperaturave të larta dhe mbipopullimit, dhe kanë hyrë në qeli ku ishin grindur me Bijën. Drejtori tha se pas ngjarjes kishin marrë masën e mbylljes në izolim të tre të dënuarve dhe janë nxjerrë pasi sektori i edukimit dhe ai i policisë së burgut ka arritur t'i bindte ata të pajtoheshin dhe të rregullonin marrëdhëniet. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›