E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Vonë të flasësh sot për Xhindin

 

Deputeti i PS-së, Andis Harasani, tha dje se PS-ja duhet të ishte marrë me zbardhjen e vrasjes së kolegut të tij Fatmir Xhindi që para zgjedhjeve. “Është vonë të flasim tani për vrasjen e kolegut tonë pas zgjedhjeve. Pse nuk u vu kusht të mos hynim në zgjedhje pa u zbuluar vrasja e Xhindit?!” u shpreh Harasani. Duke folur për mbledhjen e grupit parlamentar, Harasani tha se mbledhja u mbyll në mënyrën më të çuditshme të mundshme. “Pati një incident në sallë mes dy anëtarëve. Në vend që të vazhdohej me diskutimet, Rama propozoi hyrje ose jo në parlament, duke pozicionuar dy grupe në këtë mbledhje”, tha ai. Sipas tij, grupi kuvendor ra dakord për t’i quajtur me legjitimitet të cunguar zgjedhjet. Ajo çka diferencon grupet është bojkoti ose jo i parlamentit. “Nëse dalim nga Parlamenti, ne nuk do lejojmë arritjen e standardeve që kërkohen”, argumentoi ai. Harasani theksoi edhe njëherë se PS-ja nuk duhet të bojkotojë Parlamentin. “Ne duhet të hyjmë në parlament për të luftuar dhe për të arritur atë drejtësi që kërkojmë”, shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›