E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi, Meta takon Berishën

 

ADI SHKEMBI

Pasi kanë firmosur marrëveshjen për përfaqësimin në qeveri, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nisin bisedimet për programin e qeverisë. Kreu i LSI-së është parë dje rreth orës 13:00 të ngjisë shkallët e Kryeministrisë, ku ka qëndruar për rreth 20 minuta në zyrën e kreut të qeverisë, pak minuta përpara se Berisha të takonte një delegacion nga Kosova. Burimet bëjnë të ditur për gazetën se temë kryesore e këtij takimi ka qenë përfshirja e programit të LSI-së në variantin përfundimtar që do të lexojë kryeministri Berisha në Parlament para se ai të votohet nga deputetët. Ashtu siç është parashikuar edhe në marrëveshjen e firmosur pak ditë më parë, projektligji më i rëndësishëm i LSI-së është ai për moshën e tretë, për të cilin ka marrë premtimin e kryeministrit se do të votohet shumë shpejt në Parlament. Gjithashtu kjo forcë do të paraqesë propozimet e saj për hapjen deri në 160 mijë vende të reja pune gjatë katër viteve të ardhshme. Një pikë tjetër e bisedimeve ka qenë edhe përcaktimi i posteve të zv.ministrave që do ta marrë Lëvizja Socialiste për Integrim. Burimet bëjnë të ditur se kjo forcë do të ketë deri në gjashtë zv.ministra dhe emrat më të përfolur janë ata të Edmond Haxhinastos, Sokol Dervishit, Tokli Thomai, Nora Malaj, Viron Bezhani e Sokol Axhemi, por nuk përjashtohet mundësia që në kabinet të përfshihen edhe intelektualë të ardhur nga Perëndimi. Ndërkohë, ndonëse ende bisedimet nuk kanë përfunduar, mësohet se postet që mund të marrë LSI në nivel zv.ministrash janë ato në Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministrinë e Kulturës, si dhe Ministrinë e Bujqësisë. Pak ditë më parë kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit, sipas të cilës kjo forcë do të marrë katër poste në kabinet (Meta do të mbajë postin e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Dritan Prifti në postin e ministrit të Ekonomisë dhe Petrit Vasili në postin e ministrit të Shëndetësisë) si dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, që do ta mbajë Nasip Naço.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›